Mosmarrëveshja për faturën përfundoi në dhunë - pamje që thuhet se tregojnë turistët britanikë që sulmohen në një restorant në Turqi

Disa pamje të publikuara thuhet se tregojnë momentin kur turistë britanikë, përfshirë gra, të jenë rrahur nga rojet në një restorant në Turqi, pas një debati që shpërtheu për faturën.
Sipas mediave britanike, përcjell Telegrafi, videoja tregon grupin duke u goditur me shqelma dhe grushte nga punonjës meshkuj të restorantit Mad Boys në një rrugë në Marmaris, Turqi, më 2 qershor.
Pamjet fillojnë me një shkëmbim të nxehtë verbal, por situata shpejt përshkallëzohet në një përleshje të dhunshme.
Dy nga turistët bien përtokë, ku sulmi vazhdon, me anëtarët e stafit që i godasin vazhdimisht ndërsa shtrihen në trotuar.
Një punonjës madje “hidhet nga dritarja” për t'u bashkuar në përleshje.
Policia u thirr në vendngjarje dhe pesë anëtarë të stafit që u gjetën të përfshirë në sherr u ndaluan dhe restoranti u mbyll për një kohë të pacaktuar.
Duke folur për gazetën turke AKŞAM, një menaxher në restorantin Mad Boys deklaroi se një familje me pesë anëtarë kishte shkaktuar një grindje duke mos paguar faturën prej 5,000 TL (rreth 105 euro).
Ai pretendoi se turistët provokuan stafin duke fyer turqit dhe flamurin turk, dhe më pas i sulmuan ata. /Telegrafi/
















































