Mjeku që ndihmoi në kthimin e Christian Eriksen në jetë pasi ai pësoi një arrest kardiak në ndeshjen e Euro 2020 të Danimarkës me Finlandën javën e kaluar ka zbuluar atë që ylli danez tha në momentet pasi iu kthye vetëdija.
Mesfushori i Interit ra pa ndjenja në fushë gjatë pjesës së parë të lojës në Kopenhagë dhe iu deshën 15 minuta të marrë CPR (reanimacion kardiopulmonar) para se të këndellej dhe të nisej në spital në një gjendje të qëndrueshme, ku ai mbetet ende duke u rehabilituar.
Mjeku gjerman, Jens Kleinefeld ishte një nga njerëzit e parë në skenë në Parken Stadium dhe ndihmoi në dhënien e goditjeve elektrike që rifilluan rrahjen e zemrës së 29-vjeçarit.
Kleinefel tani ka zbuluar atë që tha Eriksen në momentet e para pasi u kthye në vetëdije.
“Rreth 30 sekonda më vonë, lojtari hapi sytë dhe unë mund të flisja direkt me të”, ka thënë fillimisht Kleinefeld për Fox Sports.
“Ky ishte një moment mjaft prekës, sepse në raste të tilla urgjente mjekësore në jetën e përditshme, shanset për sukses janë shumë më të ulëta”.
Kleinefeld zbuloi se më pas e pyeti Eriksen: “A jeni përsëri me ne?” dhe Eriksen u përgjigj: “Po, unë jam përsëri me ju. Dreqi ta hajë, unë jam vetëm 29 vjeç”.
Ndryshe, sot në mëngjes mjeku i ekipit kombëtar danez, Morten Boesen njoftoi se Eriksen ka pranuar të operohet.
Yllit danez do t’i vendoset një defibrilator kardioverter i implantueshëm (ICD) për të rregulluar ritmin e zemrës së tij. /Telegrafi/