Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, ka folur për mediat ukrainase rreth planeve luftarake gjatë vitit 2026, duke theksuar se qëllimi ushtarak i Ukrainës është "vrasja e 50 mijë rusëve çdo muaj".

Duke folur për të gjitha reformat që planifikon të zbatojë brenda forcave të armatosura ukrainase, por edhe brenda vetë ministrisë, Fedorov përfundoi se është thelbësore të kryhen ndryshime në menaxhim.


"Menaxhimi duhet të ndërtohet rreth atyre që janë të aftë të arrijnë qëllimet e përcaktuara. Nëse njerëzit nuk tregojnë rezultate të matshme, ata nuk mund të qëndrojnë në sistem", tha Fedorov.

Përveç ndryshimeve në menaxhim, Fedorov foli edhe për nevojën e shkaktimit të humbjeve më të mëdha për forcat ruse, raportojnë mediat.

"Qëllimi tjetër strategjik është vrasja e 50 mijë rusëve çdo muaj. Muajin e kaluar u vranë 35 mijë persona, dhe të gjitha këto humbje janë konfirmuar me video-incizime. Nëse arrijmë 50 mijë, do të shohim çfarë do të ndodhë me armikun. Ata njerëzit i konsiderojnë si burim, dhe mungesat janë tashmë të dukshme", shtoi Fedorov.

Pavarësisht humbjeve të mëdha, Rusia ka arritur të bëjë një përparim të vogël në vijën e parë të frontit në Ukrainë, sepse është në gjendje të kompensojë humbjet duke dërguar ushtarë të rinj me kontratë.

Projekti ukrainas i hartës me burim të hapur “DeepState” raportoi se forcat ruse gjatë vitit 2025 okupuan 4,336 kilometra katrorë të territorit ukrainas, që përbën më pak se 1 për qind të territorit shtetëror.

Nga ana tjetër, Kievi po përballet me një mungesë gjithnjë e më serioze të personelit, veçanërisht brenda njësive këmbësorie që mbajnë vijën e frontit.

Në një raport të rrallë, Fedorov më 14 janar tha se dy milionë ukrainas kërkohen për shmangie të mobilizimit, dhe 200 mijë ushtarë të tjerë janë raportuar për dezertim. /Telegrafi/