LAJMI I FUNDIT:

Ndërtimi i një impianti fotovoltaik diellor, nënshkruhen dy marrëveshje me vlerë mbi 60 milionë euro  

Ndërtimi i një impianti fotovoltaik diellor, nënshkruhen dy marrëveshje me vlerë mbi 60 milionë euro  

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, dhe Kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Bekir Gërguri kanë nënshkruar dy marrëveshje me vlerë totale mbi 60 milionë euro për financimin e projektit të energjisë solare I (Solar4Kosovo).

Në njoftimin për media thuhet se ky projekt parasheh ndërtimin e një impianti fotovoltaik diellor me kapacitet të instaluar deri në 100 MW, që do të prodhojë rreth 152 GWh energji në vit.

“Synimi kryesor është rritja e prodhimit të energjisë nga burimet e ripërtëritshme dhe ulja e ndikimit në ambient nga prodhimi i energjisë elektrike në Kosovë.


Pjesë e projektit është instalimi i paneleve solare në fushat e ish-deponisë së hirit të KEK-ut, afër termocentraleve.

Para instalimit, rreth 150 hektarë të ish-deponisë së hirit në afërsi të Kosova A dhe deponisë së hirit ‘Dragodan’ do të rivitalizohen”, thuhet në njoftim.

Përveç kapacitetit të shtuar për prodhimin e energjisë elektrike, ky projekt do të ndihmojë KEK-un në rritjen e nivelit të menaxhimit të burimeve të energjisë, si dhe në zhvillimin e kapaciteteve për investime në burime të diversifikuara të energjisë në të ardhmen. /Telegrafi/