LAJMI I FUNDIT:

Ministri Beqiri takohet me ambasadorin britanik

Ministri Beqiri takohet me ambasadorin britanik

Dje pasdite, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Valton Beqiri u takua me ambasadorin britanik në Prishtinë, Andy Sparkes.

Gjatë këtij takimi, biseda u përqendrua në fushën e trashëgimisë kulturore. Nga ana e tij, Ministri Beqiri nënvizoi angazhimin e vazhdueshëm të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për promovimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Ai me këtë rast tha se trashëgimia kulturore historike dhe religjioze është pasuri e përbashkët e të gjithë kosovarëve dhe si e tillë ajo e ka dhe do ta ketë vëmendjen dhe përkujdesjen e përhershme të institucioneve shtetërore dhe të shoqërisë kosovare.

Nga ana tjetër, Sparkes shprehu interesimin e tij për trashëgiminë kulturore të Kosovës duke nënvizuar mbështetjen tij për këtë fushë. Ai gjithashtu theksoi nevojën për mbështetjen dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale në fushën e trashëgimisë kulturore.


Gjatë këtij takimi, Ministri Beqiri kërkoi nga Sparkes angazhimin dhe mbështetjen e tij për pjesëmarrjen dhe paraqitjen e sportit kosovar në Lojërat Olimpike të vitit 2012, të cilat do të mbahen në Londër.