Ministri i Arsimit në Kosovë, Shyqiri Bytyqi ka apeluar tek SBASHK dhe mësimdhënësit që t’i rikthehen procesit mësimor, pasi greva e tyre sipas tij po shkakton dëme tek nxënësit.

Bytyqi ka thënë për RTK se hapësira për zgjidhje të problemit ekziston ndaj dhe janë duke bërë përpjekje që të krijohet një moment sa më i përshtatshëm për përmbushjen e kërkesave.


”Unë kisha kërkuar që kjo grevë të mos nis, por fatkeqësisht ka ndodhur dhe është një dëm që po iu shkaktohet nxënësve. Vazhdimisht si ministri kemi bërë përpjekje që këto kërkesa të adresohen me kohë. Nuk kanë qenë gjëra të mbyllura”, tha ai.

Ai ka theksuar se konsideron që hapësira për zgjidhje ekziston.

“Kisha kërkuar nga SBASHK-u që t’i informojë mësimdhënësit se si po shkon procesi dhe nesër të fillojë mësimi, që të mos dëmtohet shkollimi i të rinjve tanë. Kjo mund të kompenzohet një kohë, për nuk është në funksionin e rezultateve pozitive”, tha ai.

Ministri ka pohuar se ka vullnet të madh të Qeverisë për zgjidhjen e problemit, dhe ka kërkua nga SBASHK-u që mësimi të nis që nesër.

“Ka hapësirë që të merren edhe masa të tjera në rast se nuk merret reflektim. Edhe mësimdhënësit edhe të gjithë akterët duhet të bëjmë përpjekje që të mos dëmtohet procesi mësimor”, ka pohuar Bytyqi.