Milani po përpiqet ta heqë qafe sulmuesin e padëshiruar i cili fiton më shumë se Modric

Milan po has vështirësi të ndahen me Divock Origin, kontrata e të cilit prej 4 milionë eurosh në vit vazhdon të rëndojë ndjeshëm mbi financat e klubit.
Pavarësisht se nuk ka luajtur për “Rossonerët” që nga maji i vitit 2023, ish-sulmuesi i Liverpoolit fiton më shumë se Luka Modric dhe Adrien Rabiot, një barrë financiare që Milani po përpiqet me çdo kusht ta heqë përpara se kontrata e tij të skadojë në vitin 2026.
Transferimi i Origit te Milani në vitin 2022 kishte për qëllim të sillte përvojë dhe thellësi në repartin sulmues, por shumë shpejt u kthye në një nga marrëveshjet më të dështuara të klubit në vitet e fundit.
I transferuar si lojtar i lirë nga Liverpool, belgu nënshkroi një kontratë katërvjeçare me vlerë rreth 4 milionë euro neto në sezon.
Megjithatë, pasi shënoi vetëm dy gola në të gjitha kompeticionet, dëmtimet dhe mungesa e formës e lanë jashtë planeve të ekipit dhe ai përfundoi i huazuar te Nottingham Forest, një lëvizje që gjithashtu nuk arriti ta ringjallë karrierën e tij.

Pavarësisht mungesës totale të kontributit, sulmuesi belg mbetet në listën e pagave të Milanit, duke përfituar shuma që tejkalojnë ato të afrimeve të reja si Luka Modric dhe Adrien Rabiot, sipas AS.
Ndeshja e fundit zyrtare e Origit për Milanin daton në maj 2023, por klubi është ende i detyruar ta paguajë deri në vitin 2026, përveç nëse arrihet një marrëveshje për ndërprerje të kontratës me mirëkuptim.
Për një klub që menaxhon me kujdes financat nën pronësinë e RedBird Capital, kontrata e Origit përfaqëson një kujtesë të shtrenjtë të gabimeve të së kaluarës në afatin kalimtar.
Bisedimet mes Milanit dhe përfaqësuesve të lojtarit janë rihapur më herët këtë vit, me shpresën për të gjetur një zgjidhje, por ende nuk është arritur asnjë marrëveshje. Palët pritet të rifillojnë negociatat në janar 2026./Telegrafi/



















































