Milan merr fitore komode në shtëpi ndaj Frosinones

Milan ka shënuar fitore me rezultat 3-1 ndaj Frosinones në kuadër të javës së 14-të në Serie A.
Fillimi i ndeshjes ishte mjaft i qetë me të dy skuadrat që prisnin ndonjë gabim eventual të njëra-tjetrës për të rrezikuar portën.
Milani mundësinë e parë për gol e pati në minutën e 35-të kur Yunus Musah goditi shtyllën.
Rossonerët kaluan në epërsi në minutën e 43-të përmes Luka Jovic që shënoi për rezultatin 1-0, gol ky që ishte i pari për të me fanellën e kuqezinjëve.
Me epërsi prej një goli të vendasve përfundoi pjesa e parë e këtij takimi.
Christian Pulisic shënoi në minutën e 50-të pas një asistimi perfekt të Mike Maignan dhe ballë për ballë me portierin nuk gaboi për rezultatin 2-0.
Për të përmbyllur çështjen e fituesit u përkujdes Fikayo Tomori i cili në minutën e 74-të shënoi për shifrat 3-0.
Krejt çka mysafirët arritën në këtë takim ishte një gol i Marco Brescianinit në minutën e 82-të nga gjuajtja e lirë.
Me këtë fitore Milani shkon në kuotën e 29 pikëve, ndërsa ndeshjen e radhës e zhvillon në Bergamo ndaj Atalantas./Telegrafi/





















































