LAJMI I FUNDIT:

MMPHI: Të gjitha rrugët e kalueshme, por në disa segmente qarkullimi është zhvilluar me vështirësi

MMPHI: Të gjitha rrugët e kalueshme, por në disa segmente qarkullimi është zhvilluar me vështirësi

Ministria e Infrastrukturës bën të ditur se pas reshjeve të borës të gjitha rrugët kanë qenë të kalueshme por në disa segmente të rrugëve komunikacioni është zhvilluar me pak vështirësi.

MI njofton po ashtu se operatorët ekonomik, për mirëmbajtjen e rrugëve kanë qenë në aktivitetin e tyre të plotë gjatë tërë natës së mbrëmshme dhe si rezultat i këtij aktiviteti sot të gjitha rrugët e Republikës  se Kosovës të cilat menaxhohen nga MMPHI-ja, janë të qarkullueshme për të gjitha llojet e automjeteve.

“Apelojmë te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të kenë kujdes të shtuar”, thuhet më tej.


Edhe Policia e Kosovës ka kërkuar kujdes të shtuar nga të gjithë drejtuesit e automjeteve gjatë kësaj periudhe me borë dhe ngrica.

Policia në një njoftim për media thekson se referuar reshjeve të borës dhe paraqitjes së ngricave nëpër rrugë, krijohet vështirësi në trafikun rrugor dhe rrugët potencialisht bëhen më të vështira për ngasje të automjeteve, prandaj kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve, që drejtimin e automjetit ta përshtatin me kushtet në rrugë, të respektojnë shenjat e trafikut rrugor si dhe të jenë shumë vigjilent.

“Posedimi i pajisjeve dhe gomave të dimrit është i detyrueshëm për të mundësuar qarkullim më të lehtë dhe më të sigurt me automjet gjatë kësaj periudhe.

Kujdesi maksimal i pjesëmarrësve në trafik, veçanërisht drejtuesve është i domosdoshëm për të shmangur aksidentet.

Policia e Kosovës me njësitet e saj po ndërmerr dhe do të ndërmerr masa ndaj atyre që bien ndesh me ligjin, me të vetmin qëllim reduktimin e aksidenteve dhe krijimin e një sigurie më të madhe në rrugët tona”, thuhet në njoftim.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se 10 ditëshi i dytë i janarit do të kushtëzohet me kushte të paqëndrueshme meteorologjike.

Kjo situatë e motit do të krijohet për shkak të masave të ajrit me presion të ulët atmosferik.

“Si pasojë e gjithë këtyre proceseve fizike në Troposferë do të krijohen kushte për vranësira të dendura të cilat do t’i takojnë stadit të mesëm dhe të ulët të Troposferës… Nga kushtet klimatike dhe relievit që ka vendi ynë, reshjet nuk do të jenë me intensitet të njëjtë në gjithë territorin. Më të theksuara priten të jenë në pjesën veriore të Dukagjinit dhe viseve të larta malore, mirëpo reshjet e borës nuk do të mungojnë edhe në viset mesatare dhe ato të ulëta. Sa i përket temperaturave ato do të ulën në dy vlerat ekstreme, por më e ndjeshme në vlerat e minimaleve”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/