Uthulla është produkt i fermentimit të verës apo të ndonjë artikulli tjetër i cili përmban sasi të mjaftueshme sheqeri
Cilësia e uthullës varet nga cilësia e alkoolit i cili paraqet bazën për krijimin e uthullës, ndërkaq lënda e parë themelore për prodhimin e uthullës në disa regjione mund të jetë ajo e cila ekziston me bollëk, transmeton Telegrafi.
Po ju zbulojmë llojet e uthullës dhe në cilat raste përdoren:
Uthulla…
… nga mjedra
Kjo uthull pemësh ka aromë të jashtëzakonshme dhe shije të butë të thartë. Është e përshtatshme për ushqime të ftohta, sallatë nga mishi i shpezëve dhe panxhari i kuq.
…mushti i mollëve
Shija e butë e hidhët e kësaj uthulle shumë të shëndetshme do të jetë më aromatike nëse edhe mollët janë më të shijshme. Është e mirë me karota, selino dhe sallatë të gjelbër. Përdoret edhe për dobësim dhe eliminim të kolesterinës.
… me erëza bimësh
Ky lloj i uthullës aromatike bazohet në uthullën e verës së bardhë: me shtesë rigoni dhe borziloku përdoret për domate, speca, kungullesha dhe sallatë të gjelbër, ndërkaq varianti me majdanoz apo me kopër qitet në sallata të ndryshme.
… balsamike
Një ndër më të njohurat për shkak të thartirës së mirë e cila përmban notë të ëmbël. Në ushqime të ftohta përdoret për sallatë nga domatet, arugula dhe mishi i bardhë. Është e përshtatshme edhe si erëz për salca apo desertë.
… e verës
Dallohet nga uthulla e verës së bardhë dhe e verës së zezë. Uthulla e verës së zezë është e përshtatshme për sallatë të gjelbër dhe mish viçi të marinuar apo për mish shtazësh të egra. Uthulla nga vera e bardhë është më e butë dhe përdoret për mish peshku dhe shpargull.
… nga shtogu
Uthulla e pemëve apo ajo e verës së bardhë aromatizohet me lule shtogu dhe përdoret në sallata të gjelbra, sallata me mish peshku apo në sallata nga frutat e malit. /Telegrafi/