Në një kohë kur aplikacionet për njohje dhe rrjetet sociale janë bërë mënyra kryesore për të krijuar lidhje, ai vazhdon ta mbajë të gjallë një traditë të vjetër: atë të mësitnisë. Emri i tij i vërtetë është Enver Dajaku, por për të gjithë është thjesht “Mësiti popullor”.

Me origjinë nga fshati Rakinicë i Skenderajt, Dajaku prej më shumë se katër dekadash e ushtron misionin e tij të bashkimit të çifteve. Deri më sot, ai thotë se ka ndërmjetësuar lidhjen e mbi 350 çifteve, shumica prej të cilëve janë tashmë prindër dhe i drejtohen përsëri atij për fatin e fëmijëve të tyre.


“Kam fillu si vullnetar. Më shumë më shtynte dëshira që të bashkoj dy zemra që shkojnë për shtat, se sa diçka tjetër. E sot e kësaj dite, ajo ndjenjë nuk më është zbehur”, tregon Dajaku për TV Dukagjinin.

Nofkën “mësiti popullor” ai e ka fituar vite më parë pas një rasti në Istog, ku një nuse e quajti kështu në shenjë respekti. Kjo nofkë mbeti dhe me të njihet kudo.

Edhe pse është tashmë në pension, Dajaku nuk e ka ndërprerë këtë punë. Përkundrazi, kërkesat për ndihmën e tij janë rritur. Ai pohon se sot bashkëpunon me njerëz nga të gjitha trevat shqiptare, përfshirë Shqipërinë dhe diasporën.

“Më lajmërojnë prej gjithandej – nga Kosova, diaspora, Shqipëria. Ka raste prej të rinjve, por edhe nga të moshuar. Çifti më i vjetër që kam bashkuar ka qenë një burrë 72-vjeçar me një grua 60-vjeçare.”

Dajaku e konsideron veten “mësit familjar”, pasi shumë nga çiftet që ka lidhur dekada më parë tani e kërkojnë për t’u ndihmuar edhe fëmijëve të tyre.

Për të qenë një mësit i mirë, thotë se mjafton të njohësh mirë njerëzit dhe të kesh kujdes për lidhjet e gjakut. Ai e vlerëson shumë faktin që njerëzit ende i besojnë fjalës dhe përvojës së tij.

“Sot është më lehtë se dikur. Ka rrjete sociale, por besimi që njerëzit kanë ndaj meje nuk është zëvendësuar. E ndiej si amanet që ta vazhdoj këtë punë, derisa të kem jetë.”

Enver Dajaku nuk kërkon pagesë për punën që bën, por thotë se ndonjë dhuratë simbolike nga mirënjohja është e mirëpritur.

“Bakshishi nuk është detyrim. Është dhuratë që vjen nga zemra. Punën time nuk e kam nisur për para, por për të ndihmuar që të lindin familje të shëndosha.”

Në një botë ku lidhjet shpesh duken sipërfaqësore dhe të përkohshme, rrëfimi i “mësitit popullor” Enver Dajaku është dëshmi që dashuria e gjetur përmes përkushtimit e traditës ende ka vend./Telegrafi/