Trajnimet profesionale konsiderohen jo vetëm të rëndësishme, por edhe të domosdoshme, sepse arsimi si mjeti më i fuqishëm për zhvillimin lokal pa to mbetet i paplotë.

Mësimdhënësja e shkollës fillore “Thimi Mitko” në Gjilan, me një përvojë të gjatë në arsim dhe si koordinatore e organizimeve të trajnimeve, Gëzime Bllaca-Sahiti, në një prononcim për Telegrafin thotë se trajnimet janë të nevojshme për përditësimin e metodologjive bashkëkohore në mësimdhënie.


Sipas saj, trajnimet janë të domosdoshme për zhvillimin profesional të mësimdhënësve me qëllim përmirësimin e cilësisë së arsimit.

Ajo gjithashtu e konsideron të rëndësishëm faktin që sistemi arsimor lokal duhet të përmbushë nevojat e çdo nxënësi, pa përjashtim. Drejtoria e Arsimit në Gjilan, sipas Bllaca-Sahiti, është vazhdimisht duke bërë përpjekje për të përmirësuar gjendjen nëpër shkolla.

Mësimdhënësja shton se nevojat e nxënësve pa përjashtim janë një çështje e brendshme e shkollave, ku stafi udhëheqës, në bashkëpunim me mësimdhënësit, duhet të hartojë politika dhe strategji që përmes debateve, punëtorive dhe takimeve të nxirren konkluzione të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e nxënësve.

Bllaca-Sahiti thekson gjithashtu se shkolla “Thimi Mitko” ka resurset e nevojshme, përfshirë një staf profesional, dhe se vizioni i kësaj shkolle është gjithpërfshirja si parim bazë i Kurrikulës Kombëtare të Kosovës.

Nisur nga ky parim, sipas mësimdhënëses, shkolla vazhdimisht bën përpjekje për trajtim të barabartë të të gjithë nxënësve.

Në lidhje me arsimin gjithpërfshirës, veçanërisht për ata me nevoja të veçanta, Bllaca-Sahiti shprehet se ende nuk ka një "formulë" të përsosur dhe se kjo është arsyeja pse janë të nevojshme trajnime të vazhdueshme për arsimimin gjithpërfshirës.

Ajo thekson se në Gjilan ka filluar asistenca për nxënësit me nevoja, por gjithashtu thekson se mësimdhënësit përpiqen të bëjnë të pamundurën për t'u qasur punës në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Në teorinë ligjore, Ligji për Arsimin Parauniversitar dhe Kurrikula Kombëtare e Kosovës theksojnë arsimin gjithpërfshirës, i cili, sipas ligjit, thotë se çdo fëmijë, pavarësisht aftësive, ka të drejtë të jetë pjesë e një klase të rregullt. Megjithatë, në praktikë, ende bëhen përpjekje për të realizuar këtë në mënyrë të plotë”, shton ajo.

Bllaca-Sahiti thekson gjithashtu se, përkundër përpjekjeve të shumta, sfidat mbeten të mëdha, duke filluar nga mungesa e resurseve dhe stafit profesional në disa shkolla.

Ajo rendit edhe disa mungesa të tjera që e bëjnë arsimin gjithpërfshirës të vështirë për t’u realizuar në praktikë, siç janë infrastrukturat jo të përshtatshme dhe mungesa e bashkëpunimit të ngushtë me familjet e nxënësve, një element kyç për hartimin e një plani të përbashkët për rastet e veçanta.

Sipas Bllaca-Sahiti, trajnimet bazike janë thelbësore për secilin mësimdhënës, dhe ajo thekson se hartimi i Planit Individual duhet të bëhet jo vetëm nga mësimdhënësit, por edhe nga prindërit e fëmijëve me nevoja të veçanta. Ajo thekson se kjo është e domosdoshme për të arritur një bashkëpunim të mirëfilltë me prindërit dhe organet udhëheqëse të shkollave.

Bllaca-Sahiti përfundon duke theksuar se këto trajnime duhet të implementohen në praktikë, në varësi të kushteve që posedon çdo shkollë dhe klasë.

"Nxënësi është produkti final i arsimit dhe për këtë arsye, nuk duhet të dorëzohemi kurrë, pasi vetëm përmes përpjekjeve mund të arrijmë sukses", shtoi ajo.

Në një kohë kur edukimi konsiderohet thelbësor për zhvillimin personal dhe shoqëror, Bllaca-Sahiti thotë se letrat dhe mesazhet që lidhen me arsimin janë të rëndësishme për t’i kujtuar mësuesve dhe prindërve përgjegjësinë që kanë në formimin e brezave të ardhshëm.

Një nga letrat më të njohura dhe më të fuqishme për edukimin është ajo që Abraham Lincoln, presidenti i 16-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i dërgoi mësuesit të djalit të tij, një mesazh që mbetet i aktualizuar edhe sot.

Në këtë letër, Lincoln i bën thirrje mësuesit të kujdeset për edukimin e djalit të tij, jo vetëm përmes mësimit të njohurive të zakonshme shkollore, por edhe duke formuar karakterin e tij dhe duke i mësuar atij vlerat e jetës.

Ai nënvizon se arsimi është më shumë se një mjet për të mësuar të lexuar e të shkruar, por është një mundësi për t’u bërë një qytetar i përgjegjshëm dhe i moralshëm.

Siç Lincoln thekson se edukimi është një mundësi për të formuar një individ të fortë dhe të përgjegjshëm, po ashtu dhe mësuesja Bllaca-Sahiti nënvizon se trajnimet për mësuesit dhe përfshirja e prindërve janë të domosdoshme për krijimin e një arsimi cilësor, që ndihmon në zhvillimin e fëmijëve dhe përgatitjen e tyre për jetën. /Telegrafi/