Eco KosWomen, në bashkëpunim me Caritas-in Zviceran dhe me financim nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim, ka organizuar një event me qëllim vetëdijësimin për përfshirjen gjinore dhe sociale.

Ky aktivitet është pjesë e projektit EREA dhe synon të promovojë rolin e grave në shoqëri, duke nxitur ndryshime pozitive që kontribuojnë në fuqizimin ekonomik të grave dhe avancimin e barazisë gjinore në Kosovë.


Mesazhet e shpalosura në këtë event do të promovohen në të gjitha komunat e Kosovës dhe një nga vendet mikpritëse të saj është edhe Peja.

3 1

Ato janë vendosur para Komunës së Pejës dhe pranë Drejtorisë së Kulturës dhe në ditët në vazhdim do të gjinden edhe në sheshet e këtij qyteti, me qëllim për të përkrahur gratë në fusha të ndryshme, si agrobiznesi dhe bujqësia.

2 1

Drejtori i Bujqësisë në Pejë, Tahir Shala, për Telegrafin ka thënë se këto nisma janë të mirëpritura, duke theksuar se Komuna e Pejës ka një grup aktiv të grave që merren me bletari, pemëtari dhe përpunim të produkteve bujqësore.

4

Ai ka nënvizuar se gratë kanë përfituar grante deri në 10 mijë euro për të mbështetur këto veprimtari.

"Ne si komunë e kemi një grup shumë aktiv të grave fermere, të fokusuara kryesisht në bletari, pemëtari dhe përpunim të produkteve bujqësore. Janë rreth 30 gra që kanë marrë mbështetje me grante nga 5 deri në 10 mijë euro, varësisht nga veprimtaria që kanë zhvilluar", ka thënë Shala për Telegrafin.

5

Sipas tij, interesi dhe vetëdijësimi i grave për të marrë pjesë në bujqësi është në rritje, duke shfaqur një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e kësaj fushe në Pejë. /Telegrafi/