Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka shkruar një mesazh urimi me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës.

Republika e Kosovës sot (17 shkurt 2021) shënon 13-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Më 17 shkurt të vitit 2008, Kuvendi i Republikës së Kosovës shpalli Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.


Më poshtë, urimi i plotë i presidentit Ademi

kos1 (Foto: ffk-kosova.com)

Të nderuar krerë të institucioneve shtetërore, Familje të heronjve e të dëshmorëve, Invalidë e veteranë të luftës; Të nderuar futbollistë e futbolliste, drejtues të klubeve, trajnerë, ish-udhëheqës të sportit, ish-futbollistë, gjyqtarë, anëtarë të FFK-së, Dardanë e tifozë të klubeve, sponsorë e donatorë; Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës! 17 Shkurti është data më e rëndësishme e historisë sonë të re. Sot, Kosova feston 13 vjetorin e Pavarësisë, një ditë kjo sa e veçantë po aq e lavdishme dhe emocionuese. Gjatë këtij rrugëtimi 13-vjeçar kemi bërë përparime të dukshme në çdo sferë të jetës, por kemi ende shumëçka për të bërë. Për këtë ditë të madhe populli ynë kaloi nëpër shumë peripeci e sakrifica, prandaj çdo herë në ditë të tilla si kjo duhet të kujtojmë me krenari të gjithë ata që kontribuuan dhe i shërbyen atdheut nëpër dekada. Sporti në këto 13 vjet është dëshmuar si ambasadori më i mirë i shtetit. E futbolli në këtë drejtim ka bërë shumë, pasi paraqitjet e suksesshme të Kombëtares tonë në të gjitha kategoritë, por edhe kultura e lartë sportive dhe kreativiteti i tifozëve tanë Dardanët kanë bërë që shteti ynë të promovohet në mënyrën më të mirë të mundshme kudo në botë. Besoj fuqishëm se edhe gjatë këtij viti të arriturat e shtetit tonë nuk do të mungojnë, jo vetëm në sport por në çdo sferë tjetër. Uroj që sa më parë ta tejkalojmë sfidën e madhe me pandeminë Covid-19 dhe t’i rikthehemi jetës normale, duke punuar secili prej nesh në profesionin e tij me kapacitete të plota në forcimin e shtetit tonë. Gjithashtu, uroj që festat e ardhshme t’i kremtojmë me suksese të reja. E gëzofshim për jetë e mot 17 Shkurtin! Zoti e bekoftë Pavarësinë e Kosovës, Zoti e bekoftë popullin e Kosovës, Me respekt, Agim Ademi, president i FFK-së

telegrafi sport app