Qendërmbrojtësi Diar Halili po kalon një formë shumë të mirë te Tirana, ku është transferuar në formë huazimi nga Prishtina.

Ai ka regjistruar 13 paraqitje këtë sezon, prej të cilave 9 ndeshje i ka zhvilluar të plota, ndërsa ka shënuar edhe një gol.


Halili realizoi në ndeshjen e fundit, ku Tirana mposhti Egnatian me rezultat 3-1, duke bërë një hap të rëndësishëm drejt mbijetesës.

Në një prononcim për Telegrafin, ai ka folur për sezonin, ambientimin dhe planet për të ardhmen.

“Sezonin e fundit në Prishtinë e pashë shumë të nevojshme ta ndryshoja ambientin. Është nder për mua të luaj dhe të ndihmoj klubin e kryeqytetit të Shqipërisë. Ambientimi ishte shumë i lehtë në këtë grup, me djem fantastikë që të gjithë kemi vetëm një qëllim para vetes", deklaroi fillimisht Halili për Telegrafin.

Ai u ndal edhe te goli, i cili i solli siguri ekipit të Tiranës, ndaj kampionit aktual, Egnatias.

"Është ndjenjë e veçantë të shënosh për Tiranën në stadiumin tonë dhe në praninë e tifozëve tanë të mrekullueshëm", nënvizoi mbrojtësi shtatlartë.

Te Tirana, Halili në skuadër ka edhe dyshen nga Kosova, Visar Bekajn dhe Donat Mehmetin, me të cilët thotë se po kalon një kohë të shkëlqyer, ndërsa ia kanë bërë shumë më të lehtë ambientimin edhe me qytetin.

Tutje, ai foli edhe për luftën e Tiranës për mbijetesë, pasi aktualisht gjendet në vendin e shtatë me 31 pikë.

"Ne besojmë plotësisht në bazë të kualitetit që ka grupi dhe formës që kemi treguar në xhirot e fundit. Shpresojmë ta arrijmë objektivin", nënvizoi mbrojtësi.

Se ku do ta vazhdojë karrierën, Halili ende nuk e ka vendosur dhe sot që do të pres deri në fund të sezonit.

"E falënderoj FC Prishtinën që më lejoi të vij këtë sezon te Tirana. Dy kryesitë e klubeve të kryeqyteteve gëzojnë raporte shumë të mira, ndërsa për të ardhmen do të vendosim në fund të sezonit”, ka thënë Halili. /Telegrafi/


telegrafi sport app