Merita është prapë në shtëpi
Shtyej derën e jashtme. Para meje shfaqet oborri i njohur, me lule shumëngjyrëshe, bar të këndshëm e me pemë gjithëfarëshe. Një vajzë e vogël po vrapon përmes luleve dhe gjyshi e thërret me dashuri. “Meritë”, dëgjoj emrin e vogëlushes dhe sytë më mbushen me lot. Fëmija i ëmbël është më i shpejtë se gjyshi dhe më dëshiron mirëseardhje me një buzëqeshje, që ia kalon bukurisë së çdo gjëje përreth. Daja e zë, e merr në krah dhe i gëzuar për vizitën, më përqafon. Vogëlushja nuk i rri shumë në krah, kërcen e sulet nëpër oborrin e lulëzuar përqark shtëpisë së bukur, duke e mbushur jetë me cicërimat e saj. Ajo është krenaria e familjes. E tillë ishte edhe Merita tjetër, halla e saj.
Merita ishte një vajzë e hijshme, e sjellshme dhe e mençur. Ajo ishte studente kur furtuna e luftës kishte arritur kulmin. Banonte në qytet dhe ishte e dalluar në studime, sikur që ishte e dalluar gjatë gjithë jetës së saj të shkurtër. Edhepse dielli ynë në atë pranverë ishte fshehur, Merita gjente kohë të mësonte dhe të ndiqte ligjëratat. Shtrëngata e dhunës së pashembullt i shtrëngoi njerëzit edhe më. Të alarmuar, njerëzit po e lëshonin kryeqendrën dhe po iknin drejt Shkupit. Ajo vendosi të ecte kundër rrymës. Në një odisejadë të pabesueshme, ku jeta dhe vdekja ishin të pandashme, pas dy javësh udhëtim për kalimin e 50 kilometrave, Merita arriti në shtëpi.
Tepër e lodhur, por shumë e gëzuar, i tha nënës: “tash edhe nëse vdes, nuk më mbetet merak, sepse jam në shtëpi”. Kaluan disa ditë të qeta, por të frikshme dhe ogurzeza. Megjithatë, Merita ishte e lumtur. Kujdesej për gjyshin dhe gjyshen dhe ndihmonte rreth mysafirëve të shumtë, që ishin strehuar në shtëpinë e tyre. Si gjithmonë, ishte krenaria e familjes dhe u jepte jetë e shëndet të gjithëve. Sikur e tërhequr nga një forcë hyjnore, e përsëriste shpesh atë fjalinë se “ajo ishte në shtëpi” dhe nuk mërzitej fare se çka do të bëhej.
Krejt papritmas, krejt pakuptueshëm e pa asnjë arsye, shtëpia e tyre u bë cak i një sulmi të ashpër, armësh të kalibrave të ndryshëm, shumica nga të cilat nuk përdoren më në luftëra konvencionale. Merita mori plagën që me shpejtësi e hoqi nga kjo botë e trazuar. Shpirti i saj fluturoi në qiell derisa ishte në krahët e nënës, gjithmonë me buzëqeshjen që do të mund të përkthehej si: “me rëndësi që jam në shtëpinë time”. Gjyshja, që bashkë me plagën kishte marrë edhe kumtin për shkuarjen e Meritës, vdiq në sekondë. Gjyshi, me plagët e rënda, pas një durimi titanik, për t’u pasur zili edhe nga kreshnikët e legjendave, ndërroi jetë pas disa ditësh. Nëntë nga anëtarët e familjes dhe nga mysafirët u plagosën, po ashtu. Kujtime të dhimbshme dhe shumë lot pastaj. Mort, dhimbje, plagë në shpirt dhe në trup, por daja, gruaja e tij fisnike dhe familja e tyre e ngushtë dhe e gjerë nuk e dhanë veten.
Furtuna kaloi, la vrragë të mëdha në qenien tonë, por ne s’u rrëzuam. Nën hijen e kumbullave të lulëzuara, derisa pijmë kafe me dajën, shikoj shtëpinë e bukur. Ishte shkatërruar e gjitha në atë ditë të zezë. Megjithatë, me forcën e shqiptarit të papërkulshëm, daja dhe familja e tij ecën përpara. Me energji, besim dhe shpresë, familja e tij është shtuar dhe tani në vend të Meritës-vajzës, ka një Meritë tjetër-mbesën. Djemtë e tij janë të sjellshëm e të ngrohtë; punojnë dhe shkollohen. Ai me gruan janë punëtorë të vyeshëm dhe trualli i tyre nuk ka gjurmë të ndonjë gjëme. Gjithçka shkëlqen dhe gjithçka ka gjallëri. Një vitalitet brenda një oborri, që të shtyen të meditosh.
Prandaj, kur shikoj familjen e dajës (dhe në mijëra familje tjera shqiptare si kjo), shoh një fuqi që na mban gjallë dhe na shtyen të ecim përpara. Pa marrë parasysh stuhitë që i kemi përballuar dhe do t’i përballojmë, ne do të jemi gjithmonë në këmbë, të papërkulshëm dhe të pathyeshëm. Daja, familja e tij dhe të gjithë shqiptarët kanë dhënë aq shumë, sa është menduar se do të rrëzohemi. Po, ne nuk rrëzohemi! Nga hiri ynë, nga hiri i fëmijëve tanë, i pleqve tanë, i shtëpive dhe trojeve tona të shkrumbuara shumë herë, sikur zogu mitik Feniks, ne ngritemi prapë, çdo herë e më të fortë. Dhe, u tregojmë popujve tjerë dhe botës se jemi gjallë, të fortë e të freskët dhe do të jemi këtu sa të jetë jeta.
Sepse, përveç tjerash, Merita është në shtëpi. Njëra na shikon e qeshur nga fotografia në mur dhe tjetra cicëron me ëmbëlsi, duke mbushur shtëpinë plot jetë.
P.S.
Merita Murtezaj, nga Klina e Poshtme e Skenderajt, ishte 20 vjeçare kur në pranverë 1999, u vra në shtëpinë e saj. Këta rreshta optimizmi, në këtë pranverë të zymtë shqiptare, janë në vend të përkujtimit për të, tash kur emri i saj është përtërirë dhe Merita e vogël po bëhët dy vjeçe.





















































