Site icon Telegrafi

Mediumi serb: Shuplakë dhe sharje për njerëzit e Vuçiqit, ai nuk ka më kontroll absolut mbi serbët në Kosovë

Aleksandar Vuçiq, i cili prej vitesh “qeveris” veriun e Kosovës përmes Listës Serbe (SL), po humbet kontrollin mbi serbët atje.

Kështu së paku pretendojnë disa media serbe, të cilat kujtojnë rastin kur udhëheqësi i Listës Serbe, Goran Rakiq, i cili “e dëgjon Vuçiqin pa diskutim”, është sharë nga serbët në një protestë në Zveçan.

Veç tij, kujton “nova.rs”, në Zubin Potok ish-kryetari i atij qyteti, Srxhan Vuloviq, u godit me shuplakë.

Lexo po ashtu Pamje që tregojnë dhunën e grupeve kriminale serbe ndaj ushtarëve të KFOR-it

“‘Tërheqja’ e serbëve nga veriu i Kosovës në një tubim në Beograd, në ditën kur kryetarët e sapozgjedhur shqiptarë hyjnë në ndërtesën e komunës në veri të Kosovës, mund të jetë një goditje për Aleksandar Vuçiqin dhe eksponentët e tij në veri të Kosovës”, vlerëson ky medium.

Mediumi në fjalë, në një shkrim të publikuar të mërkurën, vë theksin mbi faktin se si përfaqësuesit e Listës Serbe, e cila është pjesë e autoriteteve kosovare që nga viti 2015, në vend se të jenë në veri të Kosovës, ishin në tubimin e Aleksandër Vuçiqit.

“Prandaj, nuk është për t’u habitur që i pari në mesin e tyre, Goran Rakiq, është sharë nga turma në protestën në Zveçan”, konstaton ky medium. “Krahas kësaj, një nga qytetarët iu është afruar krerëve të Listës Serbe dhe u ka kujtuar se si i kanë çuar njerëzit të premten në Beograd”.

Dhe këto nuk ishin “sharjet” e para drejtuar Goran Rakiqit, bën të ditur ky medium serb.

Përveç kësaj, “në protestat në veri të Kosovës, nuk pati vetëm konflikte mes serbëve dhe KFOR-it, por edhe mes vetë serbëve”, shkruan më tej ‘nova.rs’. “Përkatësisht, në Zubin Potok, ish-kryetari i atij qyteti, Srxhan Vuloviq, ka marrë një shuplakë”.

“E gjithë kjo në fakt mund të jetë kulmi i menaxhimit të pasuksesshëm të Vuçiqit të politikës kosovare, në të cilin ai u ndoq verbërisht nga përfaqësuesit e Listës Serbe”, shkruan ndër tjerash mediumi serb. /Telegrafi/

Exit mobile version