LAJMI I FUNDIT:

Media si instrument i kontrollit

Media si instrument i kontrollit
Ilustrim (euvsdisinfo)

Pse po tenton Serbia që ta ruajë kontrollin përmes frikës?

Një fushatë manipuluese me teknikën “cherry-picking”, që demantohet nga vetë referenca e saj si burim. Analiza dhe artikuj të botuara ditëve të fundit në portalin Kosovo Online, i referoheshin rrejshëm një konference në Prishtinë ku u trajtuan prirjet, sfidat dhe kundërmasat ndaj ekstremizimit, për gjoja rritjen e narrativës anti-serbe në Kosovë. Pas denoncimit ndërkombëtar të ndërhyrjes së Serbisë në zgjedhjet e 9 shkurtit përmes parave, kërcënimit e shantazhit (Misioni vëzhgues i BE-së dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë) dhe mundësisë që një parti rivale e Listës Serbe të fitojë së paku një mandat në Kuvendin e Kosovës, propagandistët e regjimit të Vuçiqit rikthyen narrativën e viktimizimit, duke e “zgjedhur” një ngjarje në Prishtinë me qëllim që ta bëjnë më të besueshme. Të alarmuar nga fillimi i rënies së kontrollit të plotë mbi qytetarët serbë në Kosovë, mediat e lidhura me Vuçiqin i rikthehen skemës së vjetër DARVO për rimbolizimin e tyre përmes frikësimit.

Tregimi i fabrikuar


Analiza me titull “Kosova në kthetrat e drejtësisë tranzicionale: Pse po rritet narrativa antiserbe” fillon me një togfjalësh të rrejshëm që nuk figuron në Raportin e Sbunker për konferencën “Lufta kundër ekstremizmit në Kosovë: Prirjet, sfidat dhe kundërmasat”. Duke evidentuar narrativat kundërthënëse, studimi vë në pah se etno-nacionalizmi rrjedh prej tregimeve paralele historike ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, sidomos për luftën e viteve 1990. “Shqiptarët e shohin atë si luftë për çlirim nga shtypja serbe, duke theksuar sakrificën, ndërsa serbët e konsiderojnë ‘konflikt’ defansiv kundër kryengritjes shqiptare, duke e portretizuar veten si viktima”, thuhet në njërën ndër gjetjet e raportit. Askund nuk flitet për “rritjen e narrativës antiserbe”.

Pra, analiza dhe artikujt e tjerë pasues në këtë linjë, duke përdorur deklaratat e njëjta, s’janë asgjë tjetër veçse amplifikim strategjik i kësaj narrative për të adresuar “fajtorin”. Raporte të tjera si “Narrativa antiserbe në Kosovë është konstante” apo “Mijaçiq: Nëse Kurti formon qeverinë e re, do të vazhdojë të dëmtojë marrëdhëniet ndëretnike”, synojnë pengimin e integrimit të serbëve në Kosovë, si një strategji e kahershme e Vuçiqit për kontrollin dhe instrumentalizimin e tyre.

Përmes ekspozimit të vazhdueshëm të audiencës ndaj përmbajtjeve të tilla dhe duke portretuar negativisht liderët e Kosovës apo shumicën shqiptare, ata përforcojnë sentimentet antishqiptare si një parakusht për qëllimin e sabotimit të shtetit në planin ndërkombëtar. Referencat nga ndonjë incident i vogël dhe duke e paragjykuar autorësinë, i bëjnë ato jo vetëm tendencioze, por edhe banale krahasuar me manifestimet raciste e nxitëse kundër shqiptarëve.

Kosovo Online dhe mediat e tjera të regjimit të Vuçiqit nuk i raportojnë thirrjet shoviniste të grupeve, institucioneve e të kishës serbe kundër shqiptarëve, derisa fshehin qëllimshëm faktet mbi të drejtat e privilegjuara të pakicës serbe në Kosovë. Duke aplikuar një strategji të tillë gjithëpërfshirëse, Serbia vazhdon ta mobilizojë opinionin përmes retorikës nacionaliste kundër Kosovës. Me keqpërdorimin e mediave, instrumentalizimin e fesë, narrativat e rrejshme historike dhe rolin e viktimizimit, ajo po i pengon perspektivat liberale që do të mundësonin një kapitull të ri të integrimit dhe bashkëjetesës ndëretnike në Kosovë. E, shqiptarët asnjëherë s’kanë manifestuar racizëm si huliganët serbë në stadiumet e futbollit, si ekstremistët serbë gjatë festave fetare apo si terroristët serbë me sulmet e armatosura kundër Kosovës. Kur mediat e braktisin detyrimin për të vërtetën, ato bëhen të rrezikshme për shoqërinë.

Pavarësisht spastrimit etnik të Kosovës nga Millosheviqi, siç dokumentohet në Raportin e Departamentit të Shtetit (1999), shqiptarët kanë dëshmuar me kompromiset e Vjenës dhe më vonë në dialogun e Brukselit, se nuk janë kundër popullit serb dhe kundër bashkëjetesës paqësore në Republikën e Kosovës. Këtë e dinë mediat e Vuçiqit, e di kisha dhe e konfirmon angazhimi konstruktiv i politikanëve serbë si Nenad Rasiç, mbështetja për të cilin duket se e ka tronditur Beogradin zyrtar.

Instrumenti DARVO 

Serbia vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës dhe kjo është arsyeja pse po zhvillon një luftë të ashpër hibride kundër saj. Për shkak të mbështetjes dhe prezencës ndërkombëtare me KFOR-in dhe EULEX-in, ajo ka ndjekur një skemë të sofistikuar ‘viktimizimi’, me qëllim që ta minojë legjitimitetin ndërkombëtar të Kosovës përmes ndikimit të organizatave ndërkombëtare, qeverive të huaja dhe opinionit publik global. Ky qëllim kërkon doemos që të pengohet integrimi i komunitetit serb, duke ushqyer tensionet ndëretnike si një mjet për ta mbajtur gjendjen të paqëndrueshme. Në këtë funksion, mediat janë instrument i pazëvendësueshëm, sidomos tani me gjithëpraninë e tyre si rezultat i zhvillimit digjital. Duke e ‘bombarduar’ audiencën me lajme të rrejshme, propagandë e narrativa mashtruese, ato imponojnë “realitetin” e konstruktuar dhe besimin në rolet e përmbysura. Për ta kuptuar këtë mekanizëm abuzimi duhet të referohemi modelit DARVO (Deny, Attack, Reverse Victim and Offender), të propozuar fillimisht nga psikologia amerikane, Jennifer Freyd për konfliktin në çift, por i cili sot aplikohet gjerësisht edhe në komunikimin politik e në fusha të tjera. Modeli e shpjegon strategjinë e manipulimit me qëllim të përfitimit:

D – Mohimi: Narrativa për mohimin e krimeve të kryera gjatë luftës, duke i konsideruar “të sajuara” ose “propagandë” kundër Serbisë, siç tregon rasti me masakrën e Reçakut. Po ashtu, narrativa për mohimin e legjitimitetit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës me pretendimin e shkeljes së të drejtës ndërkombëtare, ndonëse të kundërtën e ka vërtetuar Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, në bazë të kërkesës së vetë Serbisë. Mohimi në propagandën serbe përfshin edhe historinë, duke tentuar që t’i paraqesë shqiptarët si ‘pushtues’ të Kosovës, pavarësisht se e vërteta shkencore është ndryshe. Me aplifikimin e këtyre narrativave, krijohet bazë për sulmin me qëllim që të konstruktohet ‘realiteti’ në bazë të ndërrimit të roleve të viktimës dhe agresorit.

A – Sulmi: Mohimi kërkon fakte të fabrikuara që e konstruktojnë realitetin e ri me përmbysje të roleve. Për ta ‘shfajësuar’ Serbinë nga krimet dhe gjenocidi në Kosovë, audiencës duhet t’i servohen lajme që fajësojnë “terroristët shqiptarë” dhe NATO-n e Perëndimin, siç ka bërë Kosovo Online duke cituar gjyqtaren Marinkoviq më 13 janar 2023. Për t’i “fajësuar” shqiptarët duhet të sajohen incidente e të inskenohen sulme nga strukturat e veta kriminale, siç ka treguar rasti Panda në Pejë në vitin 1998. I njëjtë ka qenë edhe rasti Martinoviq shumë më herët (1985), për të cilin janë botuar qindra artikuj e libra, me synimin për ta bërë të besueshëm. Sulmet serbe e kanë përfshirë edhe religjionin, duke tentuar që t’i prezantojnë shqiptarët si ekstremistë islamikë, por edhe narrativën historike se shqiptarët e kanë pushtuar “djepin” e tyre. Vetëm këto s’do ta prodhonin efektin e dëshiruar pa fabrikime ndaj liderëve politikë (Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit) që po gjykohen në Dhomat e Specializuara në Hagë dhe sulme ndaj kryeministrit Kurti si lideri që po bën “spastrimin etnik” të serbëve nga Kosova.

RVO – Ndryshimi i roleve të Viktimës dhe Abuzuesit: Duke llogaritur në efektivitetin e mohimit dhe sulmit, strategjia hibride e Serbisë synon ta tjetërsojë historinë me qëllim të përfitimit nga roli i viktimës. Me narrativat që kultivojnë ndjenjën e padrejtësisë, serbët nxiten të besojnë se janë “ata që po vuajnë” dhe se shqiptarët janë “agresori i vërtetë”. Pikërisht këtë po bën Kosovo Online dhe mediat e tjera të dirigjuara nga Vuçiqi, duke i shërbyer thellimit të tensioneve dhe rikthimit të destabilizimit.

Serbia e përdor këtë strategji për ta legjitimuar politikën e saj për mosnjohjen e Kosovës, për ta shmangur çfarëdo presioni ndërkombëtar, si dhe për të përfituar territorialisht kurdo që i vjen fundi konfliktit të ngrirë. Pra, DARVO nuk është thjesht një kornizë psikologjike, por një instrument i fuqishëm kur zbatohet në mënyrë sistematike përmes mediave dhe platformave sociale. /Instituti “Octopus”/

Në trend

Më shumë
Precedent i paparë deri më tani - Administrata Trump zhvilloi bisedime sekrete me Hamasin, Izraeli mëson detajet nga të tjerët

Precedent i paparë deri më tani - Administrata Trump zhvilloi bisedime sekrete me Hamasin, Izraeli mëson detajet nga të tjerët

Azia
Ishte e gjitha një inskenim? Pasi i bëri banorët te besojnë se e la shtëpinë, Gjesti futet në dollap dhe fshihet

Ishte e gjitha një inskenim? Pasi i bëri banorët te besojnë se e la shtëpinë, Gjesti futet në dollap dhe fshihet

Magazina
E papritur, Gjesti po largohet nga shtëpia e Big Brother VIP Albania?

E papritur, Gjesti po largohet nga shtëpia e Big Brother VIP Albania?

Magazina
Përfundon numërimi i votave, KQZ mund të procedojë me certifikimin e rezultatit përfundimtar

Përfundon numërimi i votave, KQZ mund të procedojë me certifikimin e rezultatit përfundimtar

Lajme
Banorët të mërzitur, qajnë për

Banorët të mërzitur, qajnë për "largimin" e Gjestit nga Big Brother VIP Albania

Magazina
Te Real Madridi shqetësohen për atë që bëri Mbappe mbrëmë përballë Atleticos

Te Real Madridi shqetësohen për atë që bëri Mbappe mbrëmë përballë Atleticos

Liga e Kampionëve
Kalo në kategori