Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një konferencë për media tha se kanë adresuar me urgjencë gjetjet e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Ajo u bëri thirrje partive politike që ta mbështesin këtë ligj.
“Përkushtimi ynë është që të garantojmë reformën në drejtësi, sundimin e ligjit dhe, pa dyshim, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar,” deklaroi ajo.
Ministrja e Drejtësisë nënvizoi se një nga triumfet më të mëdha është konfirmimi i kushtetutshmërisë së konfiskimit civil.
“Kjo është një fitore e qartë për shtetin e së drejtës dhe një mesazh i fuqishëm për të gjithë ata që kanë abuzuar me detyrën zyrtare dhe kanë krijuar pasuri të pajustifikueshme,” tha Haxhiu.
Ajo sqaroi se Ministria e Drejtësisë nuk ka draftuar një ligj të ri, por ka adresuar katër çështje të identifikuara nga Gjykata Kushtetuese. Këto përfshijnë:
Retroaktivitetin e ligjit: “Gjykata Kushtetuese nuk e kundërshtoi parimisht retroaktivitetin e ligjit, duke lejuar aplikimin e tij në rastet kur është në interes publik dhe respekton parimin e proporcionalitetit,” tha Haxhiu. Ajo shpjegoi se periudha e gjatë e retroaktivitetit mund të krijojë sfida për palët e përfshira.
Qartësia për periudhat kohore: “Ndryshimet e reja në draft-ligj sigurojnë që periudha e verifikimit të pasurisë të lidhet vetëm me periudhën kur zyrtari publik ka qenë në funksion, duke lejuar përjashtimisht zgjatjen e verifikimit për pesë vite pas përfundimit të ushtrimit të funksionit publik ” shpjegoi ministrja.
Komisioni mbikëqyrës dhe ndarja e pushteteve: Haxhiu theksoi se Gjykata Kushtetuese ka identifikuar nevojën për ndryshimin e përbërjes së komisionit mbikëqyrës. “Versioni me ndryshime ka ristruktuar komisionin duke përfshirë tre anëtarë të emëruar nga Kuvendit, drejtorin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit dhe drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës Financiare,” tha ajo.
Ministrja Haxhiu përmendi se pritet të marrë deklaratat nga Ministria e Financave dhe Zyra e Kryeministrit dhe se brenda kësaj jave ligji do të procedohet në Qeveri e pastaj në Kuvend.
“Sapo të kemi deklaratat nga MF dhe ZKM, do ta procedojmë sërish versionin e ndryshuar,” përfundoi ajo. /Telegrafi/