Aktakuza ndaj Hajdarit dhe të tjerëve, mbyllet për publikun seanca fillestare për “Rezervat shtetërore”

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me propozim të mbrojtjes, është mbyllur për publikun seanca fillestare në rastin e “Rezervave shtetërore” ku po akuzohen ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe Irfan Lipovica, Hafiz Gara e Ridvan Muharremi.
Kryetari i trupit gjykues, Avni Syla aprovoi propozimin e mbrojtjes, dhe konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, mbylli seancën për publikun, me arsyetimin se janë përmbushur kushtet ligjore për mbylljen e kësaj seance, pasi kemi të bëjmë me ruajtje të konfidencialitetit dhe informacionit, që do të rrrezikohet nga publiku, si dhe për mbrojtje të dëshmitarëve, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Fillimisht, kryetari i trupit gjykues, Avni Syla tha se meqenëse kanë pranuar aktakuzën dhe shkresat e lëndës, ku disa prej tyre janë të redaktuara nga prokurori special, pasi ka vlerësuar se përbëjnë sekret shtetëror.
Po ashtu, ai tha se në aktakuzë kanë propozuar edhe dëshmitarë anonimë, andaj mori mendimin e palëve në procedure nëse shqyrtimi gjyqësor të jetë i hapur apo i mbyllur për publikun.
Prokuror special Valdet Gashi tha se shqyrtimi gjyqësor duhet të jetë i hapur, me përjashtim të situatave kur diskutohet gjatë seancave për pjesët që janë konsideruar sekret nga ana e Prokurorisë, e të cilat janë paraqitur në aktakuzë.

Gashi tha se mund të koordinohen që të ndajnë ato pjesë kur të mbyllet seanca për publikun e kur të mbetet e hapur.
Mbrojtësi i Hajdarit me autorizim, avokati Florent Latifaj, nuk u pajtua me deklarimin e prokurorit Gashi, pasi sipas tij kemi të bëjmë në shumë raste me sekret shtetëror, e në të cilat dokumente sipas tij, asnjë nga avokatët, bashkëpunëtorët e prokurorit e as policët hetues, nuk kanë pasur të drejtë të kenë qasje.
“Besoj që edhe ty, duke të përfshirë edhe ty si kryetar i trupit gjykues dhe prokurorin special, për çka kolegu Feim Alaj ka marrë përgjigje nga institucioni relevant për këtë çështje AMIK, të cilët kanë theksuar se ne si mbrojtës por edhe personat e tjerë të cilët nuk kanë certifikatë të sigurisë për të pasur qasje në informacione të klasifikuara si sekret, nuk kemi asnjë të drejtë as t’i shohim dhe as të prekim në ato dokumente, dhe të njëjtën mund ta bëjmë nëse ato dokumente janë të deklasifikuara”, tha Latifaj.
Sipas tij, këto dokumente kanë kaluar në duart e të paktën 20 personave, të cilët nuk kanë pasur certifikatën e sigurisë, për këtë, ai pretendon se prokurori kërkon që seanca të jetë e hapur për publikun.
Andaj, Latifaj propozoi që seanca të mbyllet për publikun.

Mbrojtësi i Lipovicës, avokati Feim Alaj, tha se përmes një parashtrese kanë informuar Prokurorinë lidhur me propozimin për mbajtjen e kësaj seance. Tha se e tërë dosja është e klasifikuar.
“Prokuroria nga data 31.07.2025 dhe data 21.08.2025 është njoftuar lidhur me procedurat të cilat ligji i parasheh para se të ketë ose të kemi qasje në dokumente të klasifikuara”, u shpreh avokati Alaj.
Alaj i propozoi Gjykatës që ta obligojë PSRK-në që të iniciojë deklasifikimin e dosjes së rezervave shtetërore, e më pas të vendos se a të mbahen seancat e hapura apo të mbyllura.
Kurse, mbrojtësi i Garës, avokati Nazim Mehmeti, tha se i mbrojturi i tij edhe një muaj kalon në pension dhe se tërë karrierën ia ka kushtuar institucioneve publike të shtetit. Tha se Gjykata duhet të marrë një mendim nëse kjo çështje është sekret.
Mehmeti propozoi që të mbahet seanca e hapur, me arsyetimin se është në interes të palëve dhe të qytetarëve.
Mbrojtësi i Muharremit, avokati Mahmut Halimi tha se i mbështet të gjitha pretendimet e mbrojtësve të tjerë.
“Kjo procedurë e zhvilluar tani e më tepër se dy vjet, të cilën e kanë përcjellë ngjarje të shumta dhe komente të zakonshme, por pse jo edhe propaganda.. duke u nisur fillimisht nga paraqitja e denoncimit tri ditë para arrestimit të klientit tim, nga një portal i cili ka paralajmëruar se vendi do të tronditet nga njv skandal dhe menjëherë pas tij ka rezultu po ashtu denoncimi i njërit nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, i cili ka paralajmëru një incizim të ndodhur në Ministrinë për të cilën jemi sot këtu. Pra, është përjashtuar besimi në organin e ndjekjes në Prokurori dhe Polici”, tha Halimi.
Sipas tij, bazuar në ato që kanë ndodhur, nuk mund të flitet më për dokumente të klasifikuara. Tha se ata si mbrojtje nuk kanë pranuar t’i marrin shkresat e lëndës nga Prokuroria dhe thekson se shqetësimi është i njëjtë me atë që e paraqitën kolegët e tij- për shkak të rrezikut se mund të përfundojnë si të dyshuar.
Avokati Halimi tha se ia lë gjykatës në diskrecion çështjen e mbylljes së seancës.

Më pas, gjykatësi Syla aprovoi propozimin e avokatëve Latifaj dhe Alaj, duke e mbyllur seancën, me arsyetimin se janë përmbushur kushtet ligjore ngase kemi të bëjmë me ruajtjen e konfidencialitetit dhe informacionit që do të rrezikohet nga publiku dhe mbrojtjen e dëshmitarëve në këtë çështje penale.
Për këtë çështje, gjykatësi tha se do të marrë aktvendim të veçantë. Më pas, mediat dhe personat tjerë që nuk janë palë në procedurë, u urdhëruan të lirojnë sallën.
Ndryshe, seanca e paraparë për 10 dhjetor 2025, dështoi në mungesë të Hajdarit dhe avokatit të Lipovicës- Feim Alaj.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 nëntor 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe ndaj Irfan Lipovicës, Hafiz Garës e Ridvan Muharremit lidhur me rastin e njohur si “Rezervat shtetërore”.
Ministrja Hajdari, ish-zëvendëssekretari i MINT, Irfan Lipovica, si dhe drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërore në MINT, Hafiz Gara, akuzohen për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”. Ndërsa, afaristin Ridvan Muharremi i njohur si “Ridi”, PSRK-ja po e akuzon për kryerjen e veprës penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
“Betimi për Drejtësi” ka raportuar për aktakuzën e ngritur nga prokurorët specialë, Valdet Gashi dhe Milot Krasniqi, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Sipas aktakuzës së ngritur, buxheti është dëmtuar në lartësi prej 2,912,134.78 euro.
Bazuar në aktakuzën e PSRK-së, të pandehurit Rozeta Hajdari në cilësinë e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica si zëvendëssekretar dhe Hafiz Gara në pozitën e Drejtorit të Departamentit të Rezervave Shtetërore, në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, duke iu shmangur procesit të konkurrencës, me procedurë të negocimit kishin negociuar dhe më pas nënshkruar kontratën me kompaninë turke “Yafe Turizm Indaat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” me seli në Bursa të Turqisë, për blerjen e 10 mijë tonë grurë me çmim prej 4,834,778.00 euro. Aty thuhet se çmimi për blerje të grurit ishte kontraktuar 193.48 euro më i lartë sesa çmimi mesatar i tregut.
Në aktakuzë më tej thuhet se të pandehurit Hajdari, Lipovica dhe Gara kanë negociuar dhe nënshkruar kontratë edhe me kompaninë “Xanto SP. ZO. O” me seli në Gdynia të Polonisë për blerjen e 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kilogramë sheqer. Mirëpo, përkundër pagesës së kryer, malli nuk ishte pranuar asnjëherë.
Hajdari, Lipovica, Gara ngarkohen se zbuluan fshehtësinë zyrtare duke ia vënë në dispozicion Muharremit informatën për vendndodhjen e deponimit të grurit si mall i rezervës shtetërore. Detajet nga Dosja mund t’i gjeni: KËTU.
Po ashtu, “Betimi për Drejtësi” raportoi edhe për atë se cili ishte roli i Hajdarit, Lipovicës, Garës e Muharremit, sipas aktakuzës së PSRK-së në procesin e blerjes së “Rezervave shtetërore”.
Gjithashtu, për të gjitha detajet e atakuzës së këtij rasti, publiku kishte rastin të mësojë në emisionin “Betimi për Drejtësi” me titull “Akuzat speciale për rezervat shtetërore“, i transmetuar më 15 nëntor 2025.



















































