Janë mbyllur të gjitha ndeshjet e javës së tetë në Superligën e Kosovës në futboll, ku u panë duele të forta, përmbysje dhe disa rezultate befasuese në disa fusha.

Prishtina ka fituar derbin ndaj Ballkanit me rezultat 1-0, falë një goli të vonë nga Blendi Baftiu, duke marrë kështu tri pikë shumë të vlefshme për garën e kreut.


Në derbin e zjarrtë të Anamoravës, Drita ka triumfuar si mysafire ndaj Gjilanit me rezultat 2-1. Pasi skuadra vendase kaloi në epërsi në pjesën e parë me golin e Almir Aganspahiç, Drita reagoi fuqishëm në pjesën e dytë përmes Liridon Balajt dhe Albert Dabiqajt, duke siguruar fitoren e radhës në kampionat.

telegrafi.com

Fitore të rëndësishme mori edhe Ferizaj, i cili pas pesë humbjeve radhazi u rikthye te suksesi duke mposhtur Drenicën me rezultat 2-0. Golat për skuadrën ferizajase u shënuan nga Valmir Nafiu dhe Donard Llabjani.

Llapi është zgjuar më në fund, duke regjistruar një fitore shumë të rëndësishme si mysafir ndaj Malishevës me rezultat 2-1. Pasi malishevasit kaluan të parët në epërsi me golin e Besnik Feratit, llapjanët përmbysën gjithçka falë Alex Gnapit dhe Muhamet Hysenit.

Ndërkohë, barazimi i vetëm i kësaj xhiroje u regjistrua në Klinë, ku Dukagjini dhe Prishtina e Re ndanë pikët me rezultat 1-1. Për mysafirët fillimisht shënoi Toni Gomes, ndërsa Albion Pllana barazoi shifrat.

Renditja pas javës së 8-të

Prishtina forcon pozitën e parë me 19 pikë, e ndjekur nga Ballkani me 15 pikë. Në vendin e tretë gjendet Dukagjini me 14 pikë, ndërsa Drita dhe Drenica mbajnë pozitat katër dhe pesë me nga 11 pikë secila.

Malisheva pozicionohet e gjashta me 10 pikë, ndërsa Llapi dhe Ferizaj ndajnë vendin e shtatë me nga 9 pikë.

Në fund të tabelës, Prishtina e Re dhe Gjilani mbeten në vështirësi, me vetëm 7 pikë të grumbulluara deri më tani.

Superliga e Kosovës do të shkojë në pushim dyjavor, kohë në të cilën ekipet do të kenë mundësi të analizojnë paraqitjet dhe të përmirësojnë gabimet e deritanishme. /Telegrafi/

telegrafi sport app