Mbrojtja kibernetike, Shoqata e Bankave të Kosovës bëhet pjesë e MISP

Shoqata e Bankave të Kosovës (SHBK), përmes Komitetit të Sigurisë Kibernetike, ka arritur një marrëveshje historike për t'u bërë pjesë e platformës ndërkombëtare të ndarjes së informacionit për sigurinë kibernetike, MISP (Malware Information Sharing Platform), me seli në Luksemburg.
Ky angazhim strategjik ka për qëllim forcimin e pozicionit të sektorit bankar të Kosovës në fushën e sigurisë kibernetike dhe kontribuimin në mbrojtjen ndaj kërcënimeve dhe krimeve kibernetike.
Kryeshefi Ekzekutiv i SHBK-së, Petrit Balija, theksoi rëndësinë e këtij hapi për sektorin bankar të Kosovës.
Ai u shpreh për Telegrafin se: “Krimet kibernetike nuk njohin kufi dhe kërkojnë bashkëpunim të ngushtë ndërkombëtar për t’u luftuar. Pjesëmarrja e bankave të Kosovës në platformën MISP është një hap i rëndësishëm për rritjen e sigurisë kibernetike në vend dhe për përforcimin e kontributit të Kosovës në arenën ndërkombëtare në luftën kundër këtyre krimeve."
Pjesëmarrja në këtë platformë do të mundësojë shkëmbimin e informacionit dhe praktikave më të mira për menaxhimin e kërcënimeve kibernetike.
Balija shtoi se kjo do të kontribuoi në forcimin e kapaciteteve të sektorit bankar të Kosovës për t’u përgjigjur më shpejt dhe më efektivisht ndaj kërcënimeve të mundshme. /Telegrafi/


















































