LAJMI I FUNDIT:

Mbi 60 mjekë janë larguar për tre muaj, shtetit i kërkohet të mos e injorojë këtë dukuri

Mbi 60 mjekë janë larguar për tre muaj, shtetit i kërkohet të mos e injorojë këtë dukuri
Foto: Arkiv

Kushtet më të mira të punës, avancimi në profesion dhe paga më e lartë e kanë shtyrë ortopedin, Alban Blakaj të vendosë që rrugëtimin profesional ta vazhdojë larg nga Kosova.

Ai në Graz të Austrisë ka siguruar një vend pune me kushte e pagë më të mirë, prandaj edhe ka vendosur ta lë sistemin shëndetësor kosovar, ndërkaq sipas Odës së Mjekëve të Kosovës brenda 3 mujorit të parë të këtij viti ikjen nga Kosova e kanë bërë 62 mjekë të fushave të ndryshme.

Blakaj, në një rrëfim për Kp ka treguar se brenda disa muajsh pritet ta nisë shkollimin e specializimit në spitalin e Grazit në Austri pasi tashmë ka siguruar edhe vizën.


Ky mjek, i cili aktualisht punon në një spital privat, ndonëse kishte fituar të drejtën për specializim me vetëfinancim në QKUK thotë se u detyruar të heqë dorë nga shkollimi.

“Jam mjek i përgjithshëm, specializimin e kam marr ortopedi dhe punoj në Spital Amerikan dhe specializimin e kam ngrirë (pezulluar), por mendoj për ta vazhduar në Austri…. Shkaku kryesor ka qenë shkaku financiar se nëse veç e kisha marr specializimin me pagesë por ajo prej fillimit ka qenë i ditur se jo të gjithë kemi me marr, por shkaku është financiar, por nëse veç e kisha pas specializimin me pagesë ndoshta më kishte shtyrë të mendoj që edhe të qëndroj…”, u shpreh ai.

Blakaj ka vendosur që pas përfundimit të specializimit në fushën e ortopedisë jetën dhe karrierën e tij si mjek ta vazhdojë në Austri.

“Synimi është të shkoj atje ta kryej specializimin, të ardhmes nuk i dihet… për momentin në këtë situatë që jam mendoj ta vazhdoj specializimin atje edhe të punësohem (me pagë) më të dinjitetshme ku vlerësohesh më shumë se në vendin tënd. Fatkeqësisht këtu nuk e kemi trajtimin e duhur vështirësitë e përfundimit të fakultetit, gjatësia e studimeve të gjitha ato dhe kur po e përfundon fakultetin po je me një pagë nën mesataren e një page që është në Kosovë”, theksoi Blakaj.

Shqetësimet për ikjen e mjekëve drejt shteteve të BE-së e kanë shprehur vazhdimisht institucionet dhe organizatat shëndetësore.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu thotë se brenda 3 muajve të parë të vitit 2022 Kosovën e kanë lënë 62 mjekë të specialiteteve të ndryshme.

Sejdiu konsideron se shteti po e injoron këtë problem duke mos bërë asgjë në drejtim të ndaljes së ikjes së trurit shëndetësor.

“Shumica prej tyre janë specializantë që janë në shkollim, shteti iu ka ofruar por çka iu ka ofruar. Dhe shqetësimi tjetër është se po injorohet ky problem i cili nuk është për t’u injoruar sepse nëse ne kemi projektuar sivjet 250 persona, shkojnë me moshën mesatare 30 vjet, dhe nëse shohim se Fakulteti i Mjekësisë përafërsisht 150 po prodhon mjekë në vit, ne automatikisht jemi në minus, plus këta që po dalin në pension, plus këta që po dalin me të madhe në privat po e lëshojnë institucionet shtetërore”, theksoi ai.

Kreu i OMK-së shprehet për KosovaPress se kryesisht kushtet e punës, ato të shkollimit të mëtejmë dhe pagat janë faktorët kryesorë që po i shtyn mjekët të marrin vendim që profesionin ta vazhdojnë ta ushtrojnë jashtë Kosovës.

Ai shprehet se me këtë trend të ikjes brenda 10 viteve klinikat dhe spitalet publike do të mbyllen në mungesë të profesionistëve shëndetësorë.

“Në renditje arsyet janë këto: Kushtet e punës, kushtet e shkollimit, hapësira për shkollim specialistik dhe e treta vjen paga. Dhe këto janë tri, në anën tjetër sepse nuk ndahen shumë ata që po ikin në sektorin privat e kanë pikë të parë kushtet e punës këtu është çelësi tek kushtet e punës dhe e drejta e mjekut për të zhvilluar profesionin si duhet. Kështu që këto janë ato sa i përket pagës, të gjithë janë të indinjuar por një pjesë e madhe punojnë në sektorin privat dhe mbulojnë nevojat dhe kjo është për ata që kanë arritur një stad të pjekurisë profesionale, por këta të rinjtë nuk kanë hapësirë dhe largohen ata…. Pas 10 viteve ne kemi me i pas spitalet e mbyllura dhe injorimi i këtij problemi është çështja që më së shumti na brengos neve”, u shpreh Sejdiu.

Dukurinë e ikjes së “trurit mjekësor” nga Kosova e shohin me shqetësim edhe anëtarët e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale. Deputeti Bekim Haxhiu vlerëson se duhet një reagim i menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse.

Derisa ka listuar disa nga veprimet që duhet ndërmarrë, deputeti i PDK-së thotë se ndonëse kjo qeveri kishte premtuar mbështetje për profesionistët shëndetësorë ka ndodhur e kundërta.

“Kjo është një dukuri shqetësuese e cila po ndodh dhe duhet veprime të menjëhershme për të ndaluar sepse vendimet për të parandaluar nuk kishte dhe jemi në një situatë se nëse vazhdon kjo dukuri me këtë intensitet brenda pak vitesh ne do të mbesim pa profesionistë të mirëfilltë shëndetësorë. Duhet veprime nga ana e qeverisë, konkretisht përmirësimin e kushteve të punës të profesionistëve shëndetësorë, rritjen e pagës për ta, dhe kjo do të ndikonte drejtpërdrejtë. Pastaj në mbështetje të këtyre profesionistëve për edukim të vazhdueshëm dhe këto janë baza me të cilat do të duhej të krijoheshin rrethanat që të qëndronin profesionistët shëndetësorë në Kosovë… Qeveria lëre që nuk ka bërë asgjë por ka ndikuar negativisht në këtë proces ku ka pasur mundësi përmes Bordit të ShSKUK-së e ka demotivuar profesionistin shëndetësor duke u vendosur në udhëheqje joprofesionistë me kalkulime të natyrave joparimore, joligjore, dhe nuk ka pasur asnjë mbështetje. Është premtuar shumë për ta në fakt ka zero mbështetje, demotivim, dëshpërim”, u shpreh deputeti Haxhiu.

E përkundër këtyre shqetësimeve, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi shprehet se kohëve të fundit është rritur edhe interesimi i mjekëve për t’u kthyer në Kosovë.

Por, ai shton se po punojnë në ngritjen e kualitetit të shërbimeve dhe ofrimit më të mirë të infrastrukturës me qëllim që mjekët kosovarë të keni mundësi më të mira pune.

“Unë e ndjej veten shumë keq për secilin që largohet, por tani kemi një interesim shumë të shtuar të mjekëve, ekspertëve në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara që duan të kthehen në Kosovë, mjekë të familjes dhe punës, mjekë të kirurgjisë onkologjike e tjerë… Si ministër i Shëndetësisë dhe si Ministri e Shëndetësisë dhe si Qeveri e Kosovë jemi të interesuar të rrisim kualitetin e shërbimeve duke ndërtuar infrastrukturën, duke ndërtuar menaxhimin tonë, obligimet tona”, theksoi ai.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) numri i përgjithshëm i të punësuarve në shëndetësi në sektorin publik, në vitin 2020, ishte 13 mijë e 518 të punësuar, prej tyre: 3 mijë e 555 ishin mjekë specialistë dhe 8 mijë e 386 infermierë, ndërsa 1 mijë e 577 staf jo-mjekësor.

Në trend Lajme

Më shumë
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme
Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Lajme
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Lajme
Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Lajme
Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve

Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve

Lajme
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Lajme
Kalo në kategori