Mban erë të pakëndshme dhe lulëzon vetëm një herë në disa vite: Lulja më e madhe në botë ndodhet në Berlin
Lulja që mashtron insektet me erën e saj të rëndë për t’u pllenuar
E ardhur nga pyjet tropikale të shiut në Sumatra, Indonezi, lulja “Titan arum” mund të arrijë mbi tre metra lartësi, duke e bërë atë lulen më të madhe në botë. Por nuk është vetëm madhësia ajo që e bën këtë bimë kaq spektakolare - ajo lulëzon jashtëzakonisht rrallë dhe lulëzimi zgjat vetëm tre ditë. Ditën e parë të lulëzimit, bima lëshon një erë të fortë që i ngjan mishit të kalbur. Ky aromë tërheq insekte që ushqehen në mishin e kalbur dhe pikërisht ato ndihmojnë në pllenimin e lules.
Çfarë është Titan arum?
Titan arum u përshkrua shkencërisht për herë të parë në vitin 1878 nga botanisti italian Odoardo Beccari. Meqë në natyrë rritet vetëm në Sumatra, ekzistenca e saj është e rrezikuar për shkak të shkatërrimit të pyjeve tropikale.
Titan arum lulëzon gjatë natës. Ky proces fillon pasdite, kur struktura gjethore gjigante në bazë të bimës, e quajtur spata, hapet ngadalë duke zbuluar majën qendrore të lartë, të njohur si spadiks. Në mbrëmje, bima është në lulëzim të plotë. Natën e parë, Titan arum lëshon një aromë intensive që i ngjan mishit të kalbur. Kjo aromë e fortë zbehet natën e dytë, ndërsa spata fillon të mbyllet gradualisht. Ditën e tretë lulëzimi përfundon, pasi lulja nis të vyshket dhe të kalbet. Pas këtij cikli, bima hyn në një fazë pushimi. Më pas zhvillon një gjethe gjigante që mund të arrijë disa metra dhe ngjan me një pemë të vogël. Kjo gjethe grumbullon energji për dy vite, para se të vyshket përsëri, transmeton Telegrafi.
Era e pakëndshme
Era karakteristike e Titan arum ka një rol të rëndësishëm në strategjinë e saj të pllenimit. Bima lëshon aromën e një kafshe të dekompozuar për të tërhequr insekte që zakonisht kërkojnë mish të kalbur si një vend për të hedhur vezë. Por, në vend se të gjejnë një vend të përshtatshëm për vezë, këto insekte futen brenda strukturës së lules dhe pa e kuptuar ndihmojnë në pllenim. Natën e parë të lulëzimit, vetëm lulet femërore, të fshehura thellë brenda kurorës së lules, janë gati të marrin polenin. Natën e dytë, hapen lulet mashkullore dhe lëshojnë polenin.
E rrallë dhe e rrezikuar
Titan arum (Amorphophallus titanum) është një bimë shumëvjeçare që i përket familjes Araceae. Ajo formon një rizomë nëntokësore që mund të arrijë deri në 100 kg peshë. Kur rizoma arrin madhësinë e duhur, gjë që mund të zgjasë disa vite, bima zhvillon lulëzimin, një grup lulesh mbi një kërcell që mund të arrijë deri në tre metra lartësi. Libri i Rekordeve Guinness i ka dhënë lulëzimit të Titan arum titullin “lulja më e lartë në botë”.
Kjo bimë gjendet në serën me begonja në Kopshtin Botanik të Berlinit, ku temperatura mesatare është 30 gradë Celsius dhe lagështia arrin 80%. Megjithëse këto kushte janë ideale për bimën, për vizitorët mund të jenë sfiduese dhe të pakëndshme, për shkak të nxehtësisë së lartë dhe aromës së rëndë.
/Telegrafi/
































