Matthaus mohon kategorikisht se do ta drejtojë Kosovën

Legjenda gjermane e futbollit, Lothar Matthaus, ka hedhur poshtë pohimet e kreut të FFK-së, Fadil Vokrri, se do ta drejtojë përfaqësuesen e Kosovës.
Vokrri dhe Matthaus janë parë bashkë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve FIFA Best Awards në Londër.
Dhe, kjo ka nxitur një sërë spekulimesh se Matthaus mund ta drejtojë përfaqësuesen e Kosovës. Për këtë raportuan edhe mediat e Serbisë, gjë që bëri që lajmi të marrë jehonë ndërkombëtare.
Sidoqoftë, tash është vet legjendari i Bayernit dhe Interit ai që ka mohuar një gjë të tillë.
“E mohoj kategorikisht se do ta marr drejtimin e Kosovës. Nuk ka gjasa”, deklaroi Matthaus për B92.
Lidhjet e Matthaus me Serbinë janë të njohura dhe të forta. Ai ka drejtuar skuadrën e Partizanit të Beogradit, skuadër të cilën edhe e kualifikoi në Ligën e Kampionëve.
Vokrri konfirmoi interesimin për Matthaus, por duket se ai vet nuk ka interesim për ta drejtuar përfaqësuesen e Kosovës.
Kujtojmë se Albert Bunjaku i dha fund aventurës së tij në krye të përfaqësueses së Kosovës pasi përfaqësuesja nuk arriti të sigurojë asnjë fitore në kampanjën kualifikuese për Botërorin, Rusia 2019. /Telegrafi/










































