"Mashtrim për një grusht votash", Çitaku kritikon Kurtin për pezullimin e dialogut strategjik

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka bërë disa kritika në drejtim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Çitaku përmes një reagimi në Facebook ka shkruar se Kurti po tenton të mashtrojë qytetarët për arsyet e pezullimit të dialogut me Serbinë, transmeton Telegrafi.
"Vendimi për të pezulluar dialogun strategjik bazohet tërësisht në veprimet e qeverisë kujdestare të Kosovës. Çdo sugjerim se kjo lidhet me Serbinë ose aktorë të tjerë të jashtëm është i pasaktë dhe një përpjekje për t’u shmangur nga çështjet thelbësore të përfshira “ - thotë Departamenti i Shtetit. Megjithatë, A.K i jep vetes të drejtë që, në përpjekjen e tij për t’u hedhur hi syve qytetarëve të Kosovës, të mashtrojë publikisht për arsyet e pezullimit të dialogut me Serbinë", ka deklaruar ajo.
Mes tjerash, ajo ka shtuar se "Ai përpiqet të manipulojë opinionin publik për një grusht votash, duke u mbështetur në një populizëm banal, e ndërkohë rrezikon skajshëm raportin e Kosovës me aleatin e saj më të rëndësishëm strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës".
"Nga një ekskursion në SHBA, del e bën deklarata si analist mediokër dhe i papërgjegjshëm i politikës së jashtme amerikane, duke dëmtuar imazhin dhe interesin shtetëror të Kosovës"./Telegrafi/













































