LAJMI I FUNDIT:

Marrëveshja për energji elektrike Kosovë-Shqipëri i hap rrugën bursës shqiptare

Marrëveshja për energji elektrike Kosovë-Shqipëri i hap rrugën bursës shqiptare

Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) dhe Enti Rregullator i Energjisë së Shqipërisë (ERE), kanë nënshkruar sot memorandum bashkëpunimi për njohjen reciproke të licencave për veprimtarinë e tregtimit dhe furnizimit të energjisë elektrike, e që po vlerësohet të jetë hap i rëndësishëm drejt funksionalizimit të një burse shqiptare të energjisë.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje u bë në kuadër të konferencës “Integrimi i tregut të energjisë elektrike”, e që u quajt një hap i rëndësishëm drejt integrimit të tregut të energjisë elektrike mes Kosovës dhe Shqipërisë, derisa përfaqësuesit e të dyja shteteve u zotuan se do të punojnë që brenda vitit 2022 të funksionalizohet bursa shqiptare e energjisë.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli u shpreh se integrimi i tregut të energjisë me atë të Shqipërisë është një ndër orientimet kyçe strategjike për sektorin e energjisë.


Ajo potencoi se sektori i energjisë është një prej shtyllave kryesore të zhvillimit ekonomik të Kosovës, mirëpo tha se për arsye dhe rrethana të ndryshme sektori i energjisë fatkeqësisht nuk ka tërhequr investimet e duhura për të siguruar në afat të gjatë furnizimin me energji elektrike.

“Duke qenë se kapacitet tona gjeneruese vijnë nga burime të ndryshme integrimi i tregut të energjisë do të lejojë që të shfrytëzojmë burimet që i kemi secili prej nesh në mënyrën më optimale, si rrjedhojë sistemet tona do të bëhen më të afta për të përballuar luhatjet në kërkesën për furnizim me energji elektrike në të dy vendet tona. Qëllimi i përbashkët i yni duhet të shkojë përtej kësaj, nëpërmjet këtij procesi ne kemi mundësinë që të marrim një rol udhëheqës të integrimit të fqinjëve tanë në një treg të përbashkët të energjisë. Ky është obligim i yni edhe si anëtarë të Komunitetit të Energjisë. Andaj përfitimet e të dyja vendeve nga ky proces përforcojnë besimin tim se së shpejti do ta funksionalizojmë një bursë shqiptare të energjisë. Hap i rëndësishëm në këtë drejtim është nënshkrimi i memorandumit për njohje të ndërsjellë të licencave”, tha Rizvanolli.

Rizvanolli: Sektori i energjisë nuk i ka tërhequr investimet e duhura, varemi nga importet
Lexo po ashtu Rizvanolli: Sektori i energjisë nuk i ka tërhequr investimet e duhura, varemi nga importet

Ajo tha se të dyja vendet varen pothuajse plotësisht nga vetëm një burim i energjisë, e që sipas saj, kjo do të thotë që të dyja palët kanë nevojë për diversifikim të energjisë. Rizvanolli tha se kjo mund të realizohet vetëm me përfshirjen e sektorit privat, pasi që u shpreh se investimet e sektorit privat, po edhe ekspertiza e tyre janë shumë të rëndësishme në këtë aspekt.

Edhe zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, Ilir Bejtja nënshkrimin e memorandumit për njohjen reciproke të licencave e ka quajtur si hap tejet të rëndësishëm drejt integrimit të tregut të energjisë elektrike.

Ai tha se marrëveshje të tilla nuk duhet të mbesin vetëm në letër, por duhet të jenë të aplikueshme dhe të fillojë realizimi i asaj që quhet tregu i përbashkët shqiptar i energjisë.

“Kjo do të bëjë të mundur që ne të kemi investime të reja në fushën e energjive të rinovueshme, për të rritur dhe diversifikuar prodhimin e energjisë në të dy krahët e kufirit, në këtë treg do të thosha, në tregun shqiptar të energjisë dhe do të bëjë të mundur që këtu të vijnë edhe investime ose interesa të vendeve fqinje për t’u furnizuar me energji, po edhe për të sjell energji nga burimet e tyre. I gjithë rajoni do të ndikohet nga dekarbonizimi, asimetria që është vendosur tani do të thellohet për gjetjen e burimeve për t’u furnizuar me energji në tregun rajonal. Kjo do të bëjë të vështirë edhe transmetimin e energjisë nga një vend në tjetrin, nuk furnizojmë më dot thjeshtë vendet kufitare, por duhet të shkojmë në dy, tre kufij larg për ta marrë energjinë. Në këtë aspekt një sfidë për të gjithë ne është jo thjeshtë të mbyllim atë që na ndot, por të krijojmë burime të reja, siguri të re të furnizimit me energji, qoftë ju, qoftë ne energji të erës, energji gjeotermike, apo energji të diellit”, tha Bejtja.

Pas nënshkrimit të memorandumit, kryesuesi i Bordit të ZRRE-s, Ymer Fejzullahu u shpreh se me këtë Kosova dhe Shqipëria konfirmojnë gatishmërinë e tyre për integrim të tregjeve energjetike.

Fejzullahu tha se integrimi i tregjeve në mes dy vendeve mundëson shfrytëzimin më të mirë të kapaciteteve gjeneruese në Kosovë dhe në Shqipëri, derisa tha se një integrim i tillë garanton një siguri në furnizim me energji elektrike.

“Me qëllim të integrimit të dy tregjeve, në tetor të këtij viti në Tiranë ne kemi nënshkruar marrëveshjen kornizë për bashkimin e tregjeve, ndërsa sot ne nënshkruajmë memorandumin për njohjen ndërsjellë të licencave. Kosova dhe Shqipëria me zbatimin e këtij procesi konfirmojnë gatishmërinë e tyre për integrimin e tregjeve si një nga obligimet themelore të Komunitetit të Energjisë. Përtej përmbushjes së këtij obligimi në raport me Komitetin e Energjisë, integrimi i tregjeve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe rajonit mundësojnë shfrytëzimin më të mirë të kapaciteteve gjeneruese në Kosovë dhe në Shqipëri. Në rastin tonë integrimi i tregjeve na sjell dobi të mëdha për të garantuar siguri në furnizimin me energji elektrike dhe konkurrueshmërinë brenda këtij tregu të përbashkët. Konfirmojmë gatishmërinë e ZRRE-së që në muajt në vijim do të vazhdojmë të punojmë në funksionalizimin e bursës shqiptare të energjisë brenda vitit 2022, ashtu siç jemi zotuar”, tha ai.

Kosova dhe Shqipëria me marrëveshje për treg të përbashkët të energjisë elektrike
Lexo po ashtu Kosova dhe Shqipëria me marrëveshje për treg të përbashkët të energjisë elektrike

Ai tha se një treg i përbashkët do t’i hap rrugë tërheqjes së investimeve në sektorin privat, e në veçanti investimeve në burimet e ripërtëritshme si një nga teknologjitë e së ardhmes në sektorin e energjisë.

Kryesuesi i Bordit të ERE, Petrit Ahmeti është shprehur i bindur se marrëveshja e nënshkruar sot do të gjejë zbatim në të dyja vendet, derisa theksoi se kjo marrëveshje është një hap konkret i bashkëpunimit në mes të dy Rregullatorëve.

“Mungesa e diversifikimit të burimeve gjeneruese në të dy vendet, ku Shqipëria mbulon kryesisht me prodhim prej hidrave dhe Kosova prej termocentraleve, si dhe pamundësia e shfrytëzimit maksimal deri më sot të burimeve tona në këto kohë të vështira e bënë më të rëndësishëm përshpejtimin e bashkimit të tregjeve të dy vendeve. Fakt që do të ndikojë në uljen e kostove dhe efiçiencën e përdorimit të energjisë elektrike… Këto dokumente janë hapat e parë konkret të një bashkëpunimi mes dy Rregullatorëve të vendeve tona, është si një kurorëzim i një përpjekje shumëvjeçare midis Rregullatorëve për të pasur një platformë të njëjtë dhe për të pasur rregulla e një bashkëpunim më të frytshëm mes nesh”, tha ai.

Në këtë konferencë foli edhe zëvendësdrejtori i Zyrës për Rritje Ekonomike në USAID, Loauy Samouie i cili tha se ndër vite kanë ndihmuar Kosovën dhe Shqipërinë në fuqizimin e sektorëve të energjisë.

Konferenca “Integrimi i tregut të Energjisë Elektrike”, përveç sot do të mbahet edhe nesër ku do të mbahen diskutime të ndryshme që për fokus kanë energjinë elektrike. /KP/

Në trend Ekonomi

Më shumë
Fahrije Hoti thërret konferencë për media për të hënën, thotë se do t’i demantojë shpifjet e Faton Pecit

Fahrije Hoti thërret konferencë për media për të hënën, thotë se do t’i demantojë shpifjet e Faton Pecit

Ekonomi

"Edhe atëherë kishte media të lira", Peci: Refuzimi i aplikimit të KB “Krusha” në kohën e PAN-it nuk ka përbërë lajm

Ekonomi
Specialistja nga Departamentit amerikan i Tregtisë: SHBA të interesuara të thellojnë bashkëpunimin me Kosovën për energjinë e pastër

Specialistja nga Departamentit amerikan i Tregtisë: SHBA të interesuara të thellojnë bashkëpunimin me Kosovën për energjinë e pastër

Ekonomi
Spitali që po thyen tabutë e trajtimit të varësive në Kosovë tani me emër dhe vizion të ri

Spitali që po thyen tabutë e trajtimit të varësive në Kosovë tani me emër dhe vizion të ri

Ekonomi
Al Trade feston 25 vite suksese dhe shpërblen besimin tuaj!

Al Trade feston 25 vite suksese dhe shpërblen besimin tuaj!

Ekonomi
Këto janë TOP konkurset e kësaj jave

Këto janë TOP konkurset e kësaj jave

Ekonomi
Kalo në kategori