Mark Zuckerberg padit Mark Zuckerbergun

Një avokat për çështje falimentimi nga Indiana me emrin Mark Zuckerberg ka ngritur një padi kundër CEO-së së Meta-s, që gjithashtu quhet Mark Zuckerberg, për shkak se shpesh herë ai bllokohet në platformat sociale të tij.
Nuk është e lehtë të kesh emrin dhe mbiemrin, Mark Zuckerberg.
Jo themeluesi i Facebookut, por avokati nga Indiana, i cili thotë se po jeton një jetë të tmerrshme sepse ka të njëjtin emër dhe mbiemër si themeluesi i rrjetit social.
Jo vetëm që ai merr më shumë se 100 e-maile në ditë nga njerëz që mendojnë se i shkruajnë CEO-s së Meta-s, por rrallë mund të rezervojë në një restorant pasi pronarët mendojnë se dikush po tallet.
Por gjëja që e nervozon më së shumti është se ai bllokohet në Facebook dhe Instagram pavarësisht se ka investuar dhjetëra mijëra dollarë në reklama, për arsye të thjeshta – sepse emri i tij është Mark Zuckerberg.
- YouTube www.youtube.com
Që nga viti 2017, faqja e tij e reklamave është ç’aktivizuar pesë herë me pretendimin se ai po imiton themeluesin e famshëm të Meta-s.
Kjo po e lëndon pasi ai e ka përdorur këtë emër prej kohësh dhe merret me ligjin e falimentimit që kur Zuckerbergi i Facebookut ishte tre vjeç. Ai pretendon se ka humbur 11 mijë dollarë nga tarifat e reklamave, sepse nuk i kthehen paratë kur faqja i bllokohet për pretendimin se bëri imitimin.
Ne mesazheve që merr nga Meta thuhet se “ne e hoqëm faqen tuaj sepse po përpiqeni të imitonit themeluesin tonë. Përpjekje e mirë, “fake Zuck”!” – kjo është ajo që i thuhet çdo herë që i bllokohet faqja. Ai thotë se nuk ka mundur të provojë se është ai real Mark Zuckerberg, dhe pas bllokimit të fundit vendosi të padisë Meta-n.
Në padinë e tij ai ka bashkangjitur kopje të një komunikimi me Meta-n nga viti 2020, ku përmendet se është marrë me çështjet e bllokimeve të përsëritura që nga viti 2017.
“Gjithashtu, në rast se takon Mark Zuckerberg-in më të ri dhe më pasur, thuaji që i them përshëndetje dhe se më shkakton vuajtje çdo ditë,” ka shkruar avokati në një email për Meta-n.
Pas padisë dhe lajmit që krijoi kjo histori, Meta ka pranuar situatën e çuditshme, duke premtuar se po kërkon një zgjidhje. “E dimë që ka më shumë se një Mark Zuckerberg në botë. Po punojmë që të parandalojmë që kjo të ndodhë përsëri,” ka thënë platforma.
“Jeta ime ndonjëherë ndihet si në reklamën e Michael Jordan në ESPN, ku emri i një personi ‘normal’ shkakton ngatërrime konstante”, ankohet avokati Mark Zuckerberg. /Telegrafi/


















































