Gazetari hulumtues kroat Domagoj Margetiq ka akuzuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për promovim indirekt të narrativave që synojnë shfuqizimin e Kishës Ortodokse Serbe në Kroaci.

Sipas Margetiqit, media të kontrolluara nga Shërbimi Informativ i Serbisë (BIA) – përfshirë Informer, Novosti, Kurir, Alo, Blic, B92 dhe platforma të tjera të afërta me pushtetin – veprojnë si instrumente propagandistike, duke legjitimuar ide ekstremiste dhe diskriminuese në hapësirën kroate.


Margetiq ka deklaruar se ditët e fundit është shënjestër e një fushate të koordinuar diskredituese nga këto media, që synon ta sulmojë personalisht dhe profesionalisht, pa u përballur me dokumentet dhe provat që ai ka publikuar.

“Ata nuk përdorin asnjë argument kundër dokumenteve dhe provave që kam paraqitur për përfshirjen e Vuçiqit në safaritë njerëzore në Sarajevë gjatë viteve ’90. Në vend të kësaj, përdorin sulme personale, gënjeshtra dhe një fushatë të ndyrë diskredituese”, tha Margetiq.

Gazetari ka akuzuar portali kroat tjedno.hr dhe gazetarin Drazhen Stepandjiq, i njohur si “Frenki”, si pjesë të kësaj fushate, duke i cilësuar si propagandistë ekstremistë pro-ustash dhe bashkëpunëtorë mediatikë të Vuçiqit në Kroaci.

Ai pohon se ka pasur edhe tentativa për ta blerë heshtjen e tij, përmes ndërmjetësimit të gazetarit serb Milomir Mariq.

Margetiq thekson se portali tjedno.hr promovon ideologji neo-ustashe, nxit urrejtje ndaj serbëve dhe Kishës Ortodokse Serbe dhe mbështet krijimin e “Kishës Ortodokse Kroate”.

Ai e cilëson si paradoksal dhe alarmues faktin që Vuçiq, ndërkohë që publikisht paraqitet si kundërshtar i ustashizmit në Serbi, përmes mediave të afërta me pushtetin mbështet ide ekstremiste në Kroaci.

Gazetari mohon gjithashtu akuzat personale ndaj tij lidhur me koleksione arti, duke deklaruar se të gjitha dokumentet janë ligjërisht të verifikueshme. /Telegrafi.