LAJMI I FUNDIT:

Maqedoni e Veriut: Gjashtë vite pas “bombave” të Zaevit

Maqedoni e Veriut: Gjashtë vite pas “bombave” të Zaevit

Gjyqi për çështjen kapitale “Fortesa” është para mbylljes. Ndërkohë që përdorimi i “bombave” si mjet për konfrontim midis kundërshtarëve politikë ende vazhdon.

Gjashtë vite kanë kaluar që nga 9 shkurti i 2015, kur u lëshuan audio-regjistrimet e para nga deti i bisedave të përgjuara ilegalisht të rreth 26,000 qytetarëve, ku bënin pjesë: opozitarë, gazetarë, gjykatës, prokurorë, biznesmenë, deputetë, ministra, akademikë, figura fetare, organizata jo qeveritare.

Nga shkurti deri në qershor të 2015, lideri i opozitës së atëhershme nga LSDM, Zoran Zaev, mbajti rreth 40 konferenca për shtyp me sloganin “E vërteta për Maqedoninë”, ku u publikuan përgjimet e paligjshme të bëra nga Drejtoria e Sigurisë dhe Kundërzbulimit (DSK), institucion të cilin ai e quajti përbindësh përgjues. Në të ashtuquajturat “bomba” publiku dëgjoi sesi Qeveria e atëhershme rregullonte dhe kontrollonte një pjesë të mediave, si bëheshin punësimet partiake, si u negociuan mashtrimet në zgjedhje, si u zgjodhën gjyqtarët, si u negociua emri, pse u shkatërrua “Kozmos”, si qeveria ju hakmerrej kundërshtarëve politikë, si bliheshin automjete dhe parcelat për ndërtim.


Çfarë sollën bombat dhe çfarë “shpërtheu” nga ato?

“Edhe pse në një farë mënyre ishte traumatike, përvoja me “bombat” neve na dha një pasqyrë të uzurpimit kleptokratik-autoritar të pushtetit të atëhershëm,” thotë politologia, Ana Çupeska.

“Veçanërisht për krimet e kryera nga establishmeti i atëhershëm në lidhje me: fshehjen e një vrasje; abuzim i rëndë i pushtetit dhe krimi i organizuar; krimet në proceset zgjedhore; shkatërrimi i gjyqësorit dhe vënia e tij në shërbim të pushtetit etj. Kështu që nga përgjimet u zbuluan një sërë përmbysjesh sistematike dhe anti-kushtetuese të kryera nga të thirrurit për të mbrojtur kushtetutën demokratike! Falë këtij ballafaqimi të mundësuar nga “bombat” u mbajtën negociatat e Përzhinos, si dhe u bënë edhe raportet e Priebes. Pra u krijuan institucione të reja si Prokuroria Speciale Publike dhe qeveria teknike, por dhe ata e kanë humbur rrugën, ” thekson Çupeska.

“Fortesa” para përfundimit

Publikim i “bombave” ishte kulmi, por edhe fillimi i krizës së thellë politike në vend. Nga nevoja për të pastruar krimet në vjeshtën të vitit 2015 u krijua „Prokuroria Speciale Publike”, e cila hapi hetime dhe ngriti disa akuza nga bisedat e përgjuara. Drejtuesja e PSP-së, Katica Janeva, në vitin 2019 u dënua me shtatë vjet burg, shumë më shpejt se të dyshuarit të cilit ajo po i hetonte. PSP u mbyll, por jo edhe çështjet që u hapën në atë kohë, sepse lëndët kaluan në Prokurorinë e rregullt Publike dhe u shpërndanë në prokuroritë kompetente për akuzat.

Çështja kapitale ” Fortesa”, e cila ka të bëjë me përgjimet e paligjshme dhe shkatërrimit të pajisjeve me të cilat është kryer krimi, është afër fundit. Deri më tani për pesë çështje ka vendime përfundimtare, dhe për tetë të tjera vendime të pavlefshme. Një çështje nuk ka filluar akoma, dhe tek njëra seancat janë shtyrë 5 herë që nga dhjetori 2019. Statusi i çështjeve të tjera është si vijon: 11 janë në procedurë të mbledhjes së dëshmive, dy të tjera në vazhdim të procedurës dëshmuese, dhe tek njëra vendimi është në pritje.

Mjet konfrontimi

Për suksesin e gjyqësorit në këto procese ka dyshime në publik. Por për të gjithë është e qartë që “bombat” nuk duhet të bëhen praktikë dhe armë e rregullt në betejat politike.

“Megjithëse e pazakontë,” bombat “ishin një mjet i suksesshëm për t’u çliruar nga regjimi i atëhershëm, veçanërisht duke pasur parasysh faktin se regjimi nuk lejonte ekspozime themelore demokratike dhe shprehje të pakënaqësisë me politikën aktuale. Pra në rrethana të tilla “bombat” janë bërë mjet “legjitim” i luftës politike. Në mënyrë të ngjashme, siç shohim edhe në vende të tjera të botës, me të ashtuquajturat “Leaks” (Wikileaks, Luxemburgleaks; biseda biznesi midis Erdogan dhe djalit të tij, e-mailat e Hillary Clinton dhe shumë të tjerë). Këto mjete të reja të luftës politike janë të lidhura me teknologjitë e reja dhe tani janë bërë edhe objekt studimi në shkencën e politikës.” Vlerëson profesoresha nga Instituti i Shkencave Politike në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin Kirili dhe Metodi.

Sipas Çupeskës mbetet pa përgjigje pyetja shumë e diskutueshme, kush do të jetë në gjendje të merret me përgjimet e tilla dhe a do të bëhet pazar me to?!

“Ne e shohim që “bombat” në vendin tonë, po bëhen mjet konfrontimi politik midis kundërshtarëve, pra ne duhet të pyesim veten se çfarë mesazhi ju dërgohet atyre që punojnë në shërbimet që lidhen drejtpërdrejt me mbikëqyrjen. A do të qëndrojnë ata besnikë ndaj profesionit dhe sigurisë së vendit, apo do të inkurajohen të bëjnë pazare me përgjime të tilla?” Pyet Çupeska./DW/