Manchester United po përgatitet të reduktojë ndjeshëm fondin e pagave, me një ulje që pritet të arrijë të paktën 1.2 milionë euro në javë, në mënyrë që të krijojë hapësirë financiare për afrime të reja gjatë afatit kalimtar të verës.

Klubi ka konfirmuar tashmë se kontrata e Casemiro nuk do të rinovohet pas përfundimit të sezonit.


Një vendim i ngjashëm pritet të merret edhe për Jadon Sancho, i cili aktualisht është i huazuar te Aston Villa.

Ndërkohë, drejtuesit e klubit synojnë gjithashtu të largojnë Marcus Rashford dhe Rasmus Hojlund, të cilët po kalojnë sezonin në huazim respektivisht te Barcelona dhe Napoli.

Po ashtu, “Djajtë e Kuq” janë në kërkim të një blerësi për portierin Andre Onana, i cili pritet të rikthehet nga huazimi te Trabzonspor.

Largimi i këtyre lojtarëve pritet të ulë shpenzimet vjetore të pagave me mbi 62 milionë euro.

Ky hap konsiderohet thelbësor për përmirësimin e stabilitetit financiar të klubit dhe për të krijuar mundësi për përforcime të reja, veçanërisht në prag të rikthimit në Ligën e Kampionëve, që sjell edhe rritje të kërkesave financiare për paga. /Telegrafi/

telegrafi sport app