Manchester City është gati të rikthejë portierin James Trafford nga Burnley. 

Newcastle United kishin shfaqur interes prej kohësh për portierin e përfaqësueses U21 të Anglisë dhe kishin një mundësi për ta nënshkruar atë në fund të majit, përpara Kupës së Botës për Klube, kur City ende nuk po konsideronte një lëvizje. 


Megjithatë, planet e Cityt ndryshuan dhe tani 22-vjeçari pritet të bashkohet me Ederson dhe Stefan Ortega si pjesë e repartit të portierëve në ‘Etihad’. 

Skuadra e Pep Guardiolës ka barazuar ofertën e Newcastle prej 27 milionë eurosh, me lojtarin që ka pranuar një kontratë pesëvjeçare, me opsionin për një vit shtesë, për t’u rikthyer në klubin që e kishte lënë në qershor 2023. 

Portieri aktual i parë, Ederson, është lidhur me një largim, por muajin e kaluar i cilësoi thashethemet për një transferim si ‘lajme të rreme’ dhe tashmë pritet të qëndrojë në klub. 

Trafford iu bashkua akademisë së Cityt në moshën 12-vjeçare dhe nuk bëri asnjë paraqitje me ekipin e parë gjatë periudhës së tij të parë. 

Sezoni i parë i Trafford te Burnley, nën drejtimin e ish-trajnerit Vincent Kompany, ish-kapiten i Manchester Cityt, përfundoi me 62 gola të pësuar dhe me humbjen e vendit në formacion për muajt e fundit të qëndrimit të klubit në Ligën Premier. 

Megjithatë, ai u paraqit mjaft mirë sezonin e kaluar nën drejtimin e trajnerit të ri Scott Parker, duke pësuar vetëm 16 gola në 45 ndeshje, duke ndihmuar Burnleyn të sigurojë ngjitjen automatike në elitën e futbollit anglez./Telegrafi/

telegrafi sport app