Ai tha se faza finale e ndërhyrjes ushtarake do të vazhdojë edhe gjatë marsit, duke u zvogëluar në prill.

Gjatë fushatës në veri të Malit janë vrarë “liderët terroristë”, tha Hollande pa dhënë emra konkretë.


Një ushtar francez dhe 10 rebelë janë vrarë gjithashtu gjatë përplasjeve në lindje të provincës Gao, bënë të ditur zyrtarët e mbrojtjes.

Që nga nisja e operacioneve, më 11 janar, kanë vdekur 4 ushtarë francezë, raporton TCH. Duke folur në Varshavë, Hollande tha “Kupola terroriste është shkatërruar”, edhe pse nuk është qartësuar nëse ai i është referuar dy liderëve të raportuar si të vdekur gjatë javës së kaluar.

Çadi bëri të ditur se ushtarët e tij, të cilët luftojnë përkrah trupave franceze, kanë vrarë dy komando kryesorë të militantëve, Abdelhamid Abou Zeid, nga grupi islamik i al-Qaeda-s, Maghreb, si dhe liderin veteran islamik Mokhtar Belmokhtar.

Gjithsesi, francezët nuk i kanë konfirmuar ende këto raporte. Rreth 4000 forca ushtarake franceze ndodhen aktualisht në vendin afrikano-perëndimor. Ushtria e Malit dhe disa trupa të vendeve afrikane, përfshi 2000 nga Çadi, janë përfshirë në luftimet e fundit. /Telegrafi/