Lëvizja Vetëvendosje ka nominuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, si kandidat për kryeministër për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

Vendimi u mor në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së dhe u miratua unanimisht nga delegatët.


Nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca, gjatë fjalës së tij, e përshkroi Kurtin si “kryeministrin më të suksesshëm në historinë e Kosovës” dhe si liderin më meritor të Lëvizjes Vetëvendosje, duke theksuar kontributin e tij në transformimin social dhe politik të vendit.

Konjufca gjithashtu kritikoi partitë opozitare, duke thënë se ato kanë bllokuar formimin e Qeverisë me qëllim të dobësimit të LVV-së dhe të kryeministrit Kurti.

“Refuzimi i tyre nuk ishte për program, por për të penguar qeverisjen dhe për ta dobësuar LVV-në. Kjo është një agjendë anti-shtetërore që sakrifikon interesin e shtetit për të dëmtuar një individ”, tha Konjufca.

Kosova shkon kështu drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme pas dështimit për formimin e Qeverisë së re, duke i dhënë qytetarëve mundësinë të vendosin mbi udhëheqjen e ardhshme të vendit.