LAJMI I FUNDIT:

Lluka: Kamenica pjesë e projekteve të energjisë, ujërave dhe ekonomisë digjitale

Lluka: Kamenica pjesë e projekteve të energjisë, ujërave dhe ekonomisë digjitale

Komuna e Kamenicës do të përfshihet në projektet e rëndësishme që kanë të bëjnë me energjinë, ujërat dhe ekonominë digjitale, ka deklaruar sot Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdin Lluka.

Këto komente kreu i MZHE-së i bëri gjatë vizitës që i bëri kësaj komune, ku u prit nga kryetari Qëndron Kastrati. Lluka në këtë vizitë u shoqërua edhe nga Zëvendësministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fatmir Matoshi dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Islam Pacolli.

“Qeveria e Kosovës para dy javëve ka nënshkruar dy marrëveshje, një me Qeverinë Zvicerane për integrimin e fshatrave në sistem të ujësjellësit, ku nga ky projekt do të përfitojë edhe Komuna e Kamenicës si dhe një marrëveshje që kemi nënshkruar javën e kaluar me Bankën Botërore për digjitalizimin ekonomik të vendit, ideja e të cilit është që të përfshijmë të gjitha fshatrat në sistemin me fibra optikë që u mundëson qasje në internet të shpejt banorëve që janë më larg qytetit me qëllim të vetëpunësimit”, tha Lluka.


Sipas tij, me rëndësi për Kamenicën është edhe trajtimi i ujërave të zeza, duke përfshirë Ranillugun, e veçanërisht trajtimi i ujërave që vjen nga Miniera e Artanës, në mënyrë që qytetarët e Kamenicës mos ta kenë problem ujin e pijes.

“Gjatë këtij takimi u dakorduam që me përkrahje të donatorëve ta bëjmë studimin e fizibilitetit që i përfshin mundësitë për trajtimin e ujërave të zeza. Diskutuam po ashtu për mundësinë e investimeve në rrjetin aktual të ujësjellësit në Kamenicë, integrimin e fshatrave në ujësjellës, por edhe ndërtimin e digave, të cilat parashihen të zhvillohen edhe me Strategjinë e Ujërave të Kosovës”, tha Ministri Lluka.

Nga ana e tij, Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, në emër të qytetarëve të ka falënderuar Ministrin Lluka për vizitën dhe gatishmërinë e tij për t’i çuar përpara bashkërisht projektet e kësaj komune që ndërlidhen edhe me MZHE-në.

“Unë po e falënderoj edhe publikisht Ministrin Lluka për mbështetjen e projektit për zbatimin e masave të efiçiencës në Shtëpinë e Kulturës në Kamenicë. Çështje tjera që u diskutuan ishin edhe qasja e fshatrave në ujësjellës, trajtimin e ujërave të zeza dhe projektet e efiçiencës së energjisë në ndriçimin publik”, tha ai.

Zëvendësministri i MMPH-së, Fatmir Matoshi dhe deputeti Islam Pacolli, premtuan mbështetje të pakursyer për Komunën e Kamenicës nga resorët që drejton AKR-së, duke theksuar se vizita e tyre në këtë format tregon këtë gatishmëri.

Më pas Ministri Lluka vizitoi edhe projektin energjetik Air Energy në fshatin Kikë, ku premtoi angazhim për krijim e kushteve më të mira për investitorët.

Lluka tha se ky projekt është i rëndësishëm për arsye se Kosova duhet t’i përmbushë kriteret e Bashkimit Evropian për energji të ripërtritshme, mirëpo edhe për ambientin, vendet e punës dhe aktivitetin ekonomik që gjeneron ky lloj biznesi.

I pari MZHE-së ka bërë të ditur se deri në fund të vitit pritet që në Kosovë të jenë funksionale rreth 80 megavat/h energji nga era.

Ndryshe, kapaciteti instalues i projektit “Air Energy” aktualisht është 3.6 MGW me mundësi zgjerimi, ndërsa hyrja në operim pritet të nis nga shtatori i këtij viti. /Telegrafi/