Llapi ka zyrtarizuar dy përforcime të reja në radhët e veta, duke vazhduar strategjinë e ndërtimit të një skuadre të fortë dhe konkurruese me fokus të veçantë në zhvillimin e talenteve të rinj.

Mesfushori me tipare ofensive, Lirjon Latifi, është nënshkrimi i parë që i bashkohet Llapit. 19-vjeçari ka firmosur kontratë dyvjeçare me opsion për zgjatje edhe për një vit tjetër.

Latifi vjen nga akademia e Skënderbeut në Shqipëri, ku ka kaluar një sezon të suksesshëm me ekipin U19, duke treguar rritje të vazhdueshme dhe paraqitje pozitive. Ai shihet si një futbollist me potencial të madh, që pritet të jetë pjesë kyçe e skuadrës së parë në të ardhmen e afërt.


Përforcimi i dytë është sulmuesi i krahut, Rron Sylejmani, i cili ka nënshkruar kontratë katërvjeçare me opsion për një vit shtesë. Edhe ai është vetëm 19 vjeç, por me një sezon mbresëlënës pas – me fanellën e Kosova VR ka realizuar 8 gola dhe ka asistuar 12 herë. Statistikat e tij të larta e bëjnë një emër premtues në sulmin e Llapit.

Sylejmani është shquar edhe më parë në moshat e reja, ku me KF Rilindja U17 ishte golashënuesi më i mirë në regjionin e Prishtinës me mbi 30 gola, dhe kampion me FC 2 Korriku në të njëjtën kategori.

Përveç formës në fushë, Sylejmani ka edhe një lidhje emocionale me klubin: axha i tij, Arbër Sylejmani, ishte pjesë e Llapit në periudhën 2013–2015, duke kontribuar me gola të rëndësishëm në ngjitjen e ekipit në Superligë.

Me këto dy afrime, Llapi konfirmon edhe një herë angazhimin e tij për të ndërtuar një skuadër me energji të re dhe konkurrencë të shëndetshme brenda grupit, duke dhënë hapësirë për të rinjtë që synojnë të fitojnë minuta në ekipin e parë. /Telegrafi/

telegrafi sport app