Lladrovci: Çka po ndodhë me Rexhën dhe me parimet e tij?

Kryetari i Drenasit dhe anëtari i PDK-së, Ramiz Lladrovci, ka kritikuar kandidatin për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Rexhep Selimin, pasi ky i fundit deklaroi se LDK duhet të bëjë koalicion me Vetëvendosjen pas zgjedhjeve.
Lladrovci ka treguar se si në vitin 2004, kur të dy ishin anëtarë të AAK-së, pikërisht Rexhep Selimi kishte qenë pro koalicionit të AAK-së me PDK-në, madje kishte kërcënuar se nëse partia e Haradinajt shkon me LDK-në e drejtuar atëbotë nga Ibrahim Rugova, do të jipte dorëheqje.
Lexojeni të plotë postimin e Lladrovcit:"Ku do të ndalet Rexha veç tatari e merr vesh. Në cilësinë e Sekretarit Organizativ, unë isha pro koalicionit të AAK-së me LDK-në, në vitin 2004, Rexhep Selimi, në cilësinë e Sekretarit të Përgjitshëm, ishte kategorik kundër. Ai preferonte koalicionin me PDK-në dhe Hashim Thaçin, në të kundërtën, thoshte se nëse lidhet koalicion me LDK-në do të japë dorëheqje. Megjithatë, koalicioni ndodhi kurse Rexha e mbrojti "parimin" e tij, dha dorëheqje nga Aleanca. Sot, prej më të zëshmëve që partia e tij të hyjë në koalicion me LDK-në, kundër PDK-së është pikërisht njeriu i "parimeve", Rexhep Selimi. Çka po ndodhë me Rexhën dhe me parimet e tij, veç tatari e merr vesh! Kur e pat përnjimend, atëherë apo sot? Edhe këtë e merr vesh veç tatari!" (sic), ka shkruar Lladrovci. /Telegrafi/





















































