Lirohet Hazir Haziri, i arrestuar në Serbi në shtator të vitit të kaluar, flet Koci

Hazir Haziri, qytetari shqiptar i arrestuar në Serbi më 8 shtator 2025 në pikën kufitare të Merdarës, është liruar nga autoritetet serbe.
Lajmin e ka bërë të ditur avokati i tij, Arianit Koci, përmes një postimi në Facebook.
Sipas avokatit, lirimi i Hazirit tregon se arrestimi ishte i pabazuar dhe mbështetej mbi pretendime pa fakte.
Koci nënvizon rëndësinë që qytetarët e Kosovës të kenë mbështetje juridike të menjëhershme çdo herë që përballen me ndalime të padrejta jashtë vendit.
“Si avokat, do të vazhdoj të angazhohem që asnjë qytetar i Republikës së Kosovës të mos mbetet i pambrojtur në burgjet e Serbisë, pavarësisht rrethanave apo akuzave të pabazuara. Kjo është përgjegjësi profesionale dhe njerëzore”, tha ai.
Gjendja shëndetësore e Hazirit raportohet të jetë e mirë.




















































