Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, M.Z, dhe dy të akuzuarve, I.K. dhe E.K, për veprat penale “mashtrimi”, “shmangie nga tatimi” dhe “pastrimi i parave”.
Aktgjykimi ndaj tre të akuzuarve u shpall të martën nga gjykatësi Vesel Ismajli.
Sipas këtij aktgjykimi, tre të akuzuarit lirohen nga të gjitha pikat e aktakuzës, ngase nuk është provuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale.
Ndryshe, Prokuroria Speciale më 28 gusht 2018 ka ngritur aktakuzë me pretendimin se të pandehurit I.K, M.Z. dhe E.K. kanë kryer disa vepra penale.
I.K. dhe M.Z. akuzoheshin se prej vitit 2016 deri në mars të vitit 2017 me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror më 2 qershor 2016, kishin krijuar biznesin “I.K & M.Z. Op”, si agjenci punësimi.
Sipas aktakuzës së përpiluar nga ana e prokurorit Afrim Shefkiu, të pandehurit thuhet se kishin paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani përmes emisionit “Pa rrotlla” duke joshur qytetarët që të aplikonin në zyrat tyre në lagjen “Pejton”, të Prishtinës.
Tutje, thuhet se në këtë rast ishte përfshirë edhe bashkëshortja e të pandehurit I.K, F.K, e cila ishte marrë me përgatitjen e dokumentacionit për punësim në Gjermani në biznesin e saj për rregullimin e kopshteve.
I.K. dhe M.Z, akuzoheshin se kishin mashtruar 900 aplikues për viza pune e që me qëllim iu kishin marrë shuma prej 500 deri në 3 mijë e 50 euro duke i ndarë proporcionalisht mes vete.
Kurse, thuhet se pas fillimit të hetimeve 354 personave iu janë kthyer mjetet në vlerë prej 83 mijë e 850 euro, kurse 546 personave të tjerë nuk u janë kthyer mjetet në shumë prej 261 mijë e 850 euro.
Me këtë, I.K. dhe M.Z. ngarkoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi” nga neni 335 i Kodit Penal.
Ndërsa, gjatë periudhës kohore prej 2 qershorit 2016 e deri më 31 dhjetor 2017, sipas aktakuzës, si bashkëpronarë të biznesit të përmendur me dashje direkte u janë shmangur obligimeve tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës me ç’rast akuzohen se kanë kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi”, njofton betimiperdrejtesi.
I pandehuri I.K. akuzohej po ashtu se me qëllim të fshehjes së burimeve të mjeteve financiare të fituara nga mashtrimi me viza pune dhe shmangies nga tatimi më 19 nëntor 2016, kishte bërë transaksione të dyshimta.
Me ç’rast, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Pastrimi i parave”, nga neni 308 i KPRK-së.
Ndërsa, të pandehurit M.Z. dhe E.K. akuzoheshin edhe për veprat penale “Pastrim i parave”, “Mashtrimi” dhe për veprën penale “Shmangie nga tatimi”.
Kurse, i pandehuri M.Z. akuzohej se si pronar i NSH Qendra Mediale “Mozaiku i Kosovës” me dashje direkte të shmangies së obligimit tatimor ndaj ATK-së kishte kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi”.