Sot janë liruar hapësirat e uzurpuara të Komunës së Leposaviqit.

Policia e Kosovës ka asistuar në lirimin e tyre pas kërkesës së kryetarit të Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, shkruan Telegrafi.


Sipas njoftimit, këto hapësira në pronësi të Komunës së Leposaviqit ishin të uzurpuara nga institucionet paralele të Serbisë.

“Me këtë rast, në kuadër të këtij operacioni policor, janë mbyllur institucionet paralele të Serbisë të ashtuquajtura ‘Zyra për Punësim’, ‘Zyra e Pensioneve’ dhe ‘Ndërmarrja hoteliere Kopaonik’, në kuadër të të cilave kanë funksionuar disa zyra”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe në koordinim me autoritetet përkatëse, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi.

Me këtë rast, kryetari i kësaj komune Lulzim Hetemi, ka thënë se së bashku me ekipin e tij janë të angazhuar që të gjitha asetet e tyre të jenë në shfrytëzim të institucioneve të Kosovës.

"Si Kryetar i Komunës së Leposaviqit bashkë me ekipin tim jemi të angazhuar që të gjitha asetet tona të jenë në shfrytëzim të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe si të tilla të ofrojmë shërbime për të gjithë qytetarët pa dallim", ka thënë Hetemi.

Ai ka falënderuar Policinë e Kosovës për punën e tyre.

"Falënderoj Policinë e Kosovës për asistimin dhe për punën e tyre me qëllim të ofrimit të rendit, sigurisë dhe garantimit të respektimit të ligjeve të Republikës së Kosovës", ka thënë ai. /Telegrafi/