“Liri për Palestinën, stop gjenocidi”, aktivistja Greta Thunberg proteston në Tiranë

Aktivistja e njohur suedeze për çështjet e klimës dhe të drejtave të njeriut, Greta Thunberg, protestoi këtë të mërkurë në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, në mbështetje të popullit palestinez në Gaza.
Protesta, e cila nisi në orën 18:00, u zhvillua nën moton “Ndaloni urinë, lejoni ushqimin dhe jetën”.
Në një mesazh të qartë dhe emocional, Thunberg bëri thirrje në shqip: “Liri për Palestinën”, duke theksuar solidaritetin e saj me civilët që po vuajnë nga konflikti në Rripin e Gazës.
Gjatë fjalës së saj, Thunberg kritikoi ashpër heshtjen e komunitetit ndërkombëtar përballë veprimeve të Izraelit, të cilat sipas saj kanë çuar në “një situatë gjenocidale”.
Ajo theksoi se indiferenca ndërkombëtare ka lejuar që dhuna dhe kriza humanitare të përshkallëzohen pa ndërhyrje të duhur.
Protesta u zhvillua në mënyrë paqësore, duke mbledhur aktivistë dhe qytetarë të shumtë që ndanë të njëjtin mesazh për ndalimin e luftës dhe lehtësimin e gjendjes humanitare në Gaza.

















































