Lideri i Koresë së Veriut i dërgon mesazh presidentit Trump, pasi ky i fundit u infektua me coronavirus

Diktatori i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ofroi “mbështetjen” e tij të premten për presidentin Donald Trump, si dhe Zonjën e Parë, Melania Trump, pasi ata dolën pozitivë për coronavirusin.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, në një njoftim për shtyp të publikuar nga mediumi shtetëror KCNA thuhej se Kim "sinqerisht shpresonte që ata të rikuperohen sa më shpejt të jetë e mundur. Ai shpresonte që ata me siguri ta kapërcenin atë. Ai u dërgoi përshëndetje të ngrohta atyre".
Ndryshe, të premten pasdite, Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti do të transferohej në Qendrën Mjekësore “Walter Reed” në Uashington, D.C.
Më herët gjatë ditës, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany, pohoi se ai po përjetonte simptoma "të lehta" të virusit, i cili ka ndikuar te njerëzit me ashpërsi të ndryshme.
"Unë dua të falënderoj të gjithë për mbështetjen e jashtëzakonshme", tha Trump në një video të postuar në Twitter. “Unë jam duke shkuar në spitalin Walter Reed. Mendoj se po bëj shumë mirë, por do të sigurohemi që gjërat të funksionojnë më mirë”.
Diagnoza e Trump erdhi vetëm disa javë para zgjedhjeve presidenciale të cilat ka të ngjarë të kenë ndikime të rëndësishme në diplomacinë amerikane, përfshirë Korenë e Veriut. /Telegrafi/




















































