Lideri çeçen, Ramzan Kadyrov i dha djalit të tij 15-vjeçar, Adamit titullin Hero i Republikës Çeçene.

Adam Delimkhanov, anëtar i Dumës së Shtetit Rus dhe krahu i djathtë i Kadyrov, publikoi informacionin e lartpërmendur në kanalin e Telegramit.


“Me kënaqësi të madhe uroj nipin tim të dashur Adam Ramzanovich Kadyrov për dhënien e titullit më të lartë të Republikës Çeçene, Hero i Republikës Çeçene”, tha Delimkhanov. Ai shtoi se Adam Kadyrov është "një shembull i një të riu jashtëzakonisht të arsimuar, të zhvilluar dhe të vendosur" ndërsa theksoi arritjet në artet marciale të përziera dhe gjuajtjen me hark.

Screenshot 12 6

Ai publikoi një foto të tij dhe Adam Kadyrovit, me një mural që shihet presidenti rus, Vladimir Putin, raporton Ukrainian Pravda.

Heroi i Republikës çeçene është çmimi më i lartë shtetëror në Çeçeni, dhe dekretet e dhënies nënshkruhen nga kreu i republikës, e cila do të thotë se Ramzan Kadyrov i dha titullin djalit të tij të mitur.

Ramzan Kadyrov ishte marrësi i parë i titullit kur nënshkroi dekretin për dhënien e tij. Udhëheqësi çeçen publikoi së fundmi një video të djalit të tij, Adamit duke rrahur brutalisht një të burgosur të pambrojtur.

Viktima e rrahjes ishte një 19-vjeçar, i cili u arrestua në muajin maj për djegien publike të një Kurani në Volgograd dhe më pas u transferua në një burg në Çeçeni. /Telegrafi/