LAJMI I FUNDIT:

Letra që ndryshoi rrjedhën e historisë

Letra që ndryshoi rrjedhën e historisë
Albert Einstein (1879–1955)

Nga: Deborah Nicholls-Lee / BBC
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com

Po të mos ishte letra dyfaqëshe e 2 gushtit 1939, trajtimi dramatik i shfrytëzimit vdekjeprurës të fuqisë bërthamore, rrëfyer në filmin Openhajmeri [Openheimer] të vitit 2023, mund të mos ishte asgjë më shumë sase një vepër e fantashkencës,.

“Punimet e fundit në fizikën bërthamore, e shtojnë besimin se uraniumi mund të shndërrohet në burim të ri dhe të rëndësishëm energjie”, thuhet në një letër të shtypur, drejtuar presidentit të ShBA-së, Franklin D Roosevelt, nënshkruar me dorë nga fizikani i nderuar Albert Einstein. Kjo energji, vazhdon ai, mund të përdoret “për ndërtimin e bombave shumë të fuqishme”.


Duke shprehur dyshimet për vendimin e Gjermanisë për të ndaluar shitjet e uraniumit në Çekosllovakinë e pushtuar, letra paraqet shtysën e programit të kërkimi top-sekret në vlerë të dy miliardë dollarëve – të Projektit Menheten [Project Manhattan]: garës për ta mundur Gjermaninë në zhvillimin e armëve bërthamore. Projekti trevjeçar, i udhëhequr nga fizikani Robert Oppenheimer, do ta fusë ShBA-në në epokën bërthamore dhe do të na çojë te një nga shpikjet më domethënëse dhe më shkatërrimtare të historisë: bombën bërthamore.

Në letrën e 2 gushtit 1939, Einsteini ka shkruar se “disa aspekte të situatës së krijuar, duket se bëjnë thirrje për vigjilencë” (foto: Christie’s Images Ltd)

Më 10 shtator 2024, letra e rëndësishme dhe e formuluar me kujdes e Einsteinit, do të dalë në ankand nga Christie’s në Nju-Jork, ndërsa pritet të arrijë shumën e mbi katër milionë dollarëve. U hartuan dy versione të letrës: një version më i shkurtër, i cili do të shitet në ankand nga Christie’s, si dhe një version më i detajuar i dorëzuar me dorë në Shtëpinë e Bardhë – e që tani është në koleksionin e përhershëm të Bibliotekës “Franklin D Roosevelt” në Nju-Jork.

“Në shumë aspekte, kjo letër shënon pikë kyçe në historinë e shkencës, teknologjisë dhe njerëzimit”, thotë për BBC specialisti i Amerikanës [artefaktet kulturore amerikane], librave dhe dorëshkrimeve në Christie’s, Peter Klarnet. “Kjo me të vërtetë është hera e parë kur qeveria e Shteteve të Bashkuara përfshihet drejtpërdrejt, financiarisht, në kërkimet e mëdha shkencore”, shton ai. “Letra i shtyri Shtetet e Bashkuara të përfitojnë nga transformimet teknologjike që po ndodhnin”.

Me këtë pajtohet Dr. Bryn Willcock, kreu i programit të Departamentit të Politikës, Filozofisë dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Suonzit dhe pedagog dhe studiues i Historisë Amerikane dhe Bërthamore. “Shumica e analizave historike të origjinës së bombës, fillojnë me analizimin e kësaj letre”, i tha ai BBC-së. “Përmbajtja e letrës ishte thelbësore për ndërmarrjen e veprimeve të drejtpërdrejta nga presidenti Roosevelt”, thotë ai, duke theksuar se “Fondacioni i Trashëgimisë Bërthamore shkon aq larg saqë letrën e përshkruan … si ‘jetike’ për ta shtyrë Rooseveltin për të ndërmarrë kërkimet bërthamore”.

Filmi i vlerësuar me disa çmime, Openhajmeri – i cili bazohet në historinë e Projektit Menhetin dhe që letrës i referohet në një skenë mes Oppenheimerit dhe fizikanit Ernest Lawrence – pritet të shtojë interesimin për këtë letër në ankand. “Kjo [letër] është diçka që ka qenë pjesë e kulturës popullore që nga viti 1945 e tutje, kështu që tashmë ka një vend të qëndrueshëm, mirëpo mendoj se filmi Openhajmeri tani atë e solli te një brez i ri”, thotë Klarnet.

Me ndihmën e fizikanit Leo Szilard, Einsteini i shkroi Rooseveltit duke e paralajmëruar për rreziqet të cilat i paraqet energjia bërthamore (foto: Getty Images)

Klarnet e përshkruan Einsteinin si “karakter mitik” të kulturës popullore. Ai me siguri e ka atë cilësi te Openhajmeri, ku fshihet në periferi të filmit, në një si rol episodik të cilin e presim me padurim, ndërsa identiteti i tij zbulohet vetëm kur kapela e tij fluturon dhe e ekspozon atë shllungën e famshme të flokëve të bardha.

Megjithëse ekuacioni i Einsteinit, E=mc2, e shpjegoi energjinë e çliruar në një reaksion bërthamor dhe e hapi rrugën për zbatimin keqdashës të tij, roli i tij në krijimin e bombës bërthamore mbase është mbivlerësuar në film. Debati midis Oppenheimerit dhe Einsteinit në skenën përmbyllëse (Oppenheimer: “Kur erdha te ju me ato llogaritje, menduam se mund të fillonim reaksionin zinxhir i cili do të shkatërronte që të gjithë botën …”) është “i pakuptimtë”, thotë Klarnet.

Einsteini, pikëpamjet e majta dhe trashëgimia gjermane e të cilit e rrethonin me një dozë dyshimi, “nuk kishte autorizim për këtë”, thotë ai. Në fakt, pacifisti i famshëm u distancua nga projekti dhe gjithmonë këmbënguli se roli i tij në çlirimin e energjisë bërthamore ishte “krejtësisht indirekt”.

Nëse dikush ishte nxitës, ai ishte Leo Szilard – ish-studenti i Einsteinit. Letra, me shënimin me laps të Szilardit, “Origjinali nuk u dërgua!”, do të mbetet në posedim të Szilardit deri në vdekjen e tij më 1964. Einsteini me origjinë gjermane, e po ashtu edhe Szilardi me origjinë hungareze, ishin që të dy hebrenj që kishin ikur në ShBA pas ngritjes së nazizmit dhe ai kuptoi, më mirë se kushdo tjetër, kërcënimin të cilin e paraqiste Gjermania.

Fizikani hungarezo-amerikan, Szilardi, në vitin 1933 e konceptoi reaksionin zinxhiror bërthamor dhe më 1934 e patentoi idenë e reaktorit të fizionit bërthamor (foto: Getty Images)

Letra ishte ide e Szilardit, por ai ishte i paepur në kërkesën e tij për ta bindur Einsteinin për ta marrë autorësinë dhe për ta nënshkruar. Einsteini kishte autoritet të konsiderueshëm dhe, pasi e fitoi çmimin Nobel më 1921, u bë “personifikim i shkencës moderne”, thotë Klarnet. “E ka atë ndikim të cilin asnjë tjetër nuk e ka. Mesa duket, në muajt e mëparshëm njerëzit e tjerë u përpoqën ta paralajmërojnë Rooseveltin për atë që është duke ndodhur, por, krejt papritur, futesh për dere me një letër nga Alberti Einsteini i cili të thotë se këtë ti duhet bërë – e, kjo ka ndikim”.

Më 16 korrik 1945, spektatorët e autorizuar i mbronin sytë me syze, teksa një prototip i bombës së njohur si “mjeti” [gadget], shpërtheu me sukses në një shkretëtirë në Nju-Meksiko. Rezultati u prit me ngazëllim dhe po ashtu edhe me frikë. Atë ditë, në ditarin e vet presidenti amerikan Harry S Truman shkroi: “E kemi zbuluar bombën më të tmerrshme në historinë e botës”.

Gjermania ishte dorëzuar, por jo Japonia, ndaj mendohej se sulmi i porteve japoneze në Hiroshimë dhe në Nagasaki, me një fuqi të tmerrshme dhe të paprecedentë, do të përshpejtonte përfundimin e luftës. Megjithëse Szilardi e nisi një peticion një ditë pas testeve të bombave, duke rekomanduar që Japonia të ftohej të dorëzohej përpara se të ndërmerrej veprimin kaq drastik, ai peticion nuk arriti me kohë tek autoritetet.

Më 6 gusht, në Hiroshimë u hodh bomba e koduar si Vogëlushi [Little Boy]. Më 9 gusht, Trashullaku [Fat Man] shpërtheu në Nagasaki. Rreth 200 mijë njerëz u vranë ose u plagosën, me shumë të tjerë të cilët – për shkak të efekteve anësore të rrezatimit – e humbën jetën vite të tjera më vonë. Deri sot, këto janë rastet e vetme të përdorimit të drejtpërdrejtë të armëve bërthamore në ndonjë konflikt.

Është e vështirë të thuhet nëse Projekti Menheten do të kishte ekzistuar pa letrën e Einsteinit. Willcocku vëren se Britania veçse “përpiqej të nxiste me të madhe Amerikën për të mbështetur kërkimet më të mëdha”, ndërsa raportin e vitit 1941 [të shkencëtarëve të komitetit] të MAUD-it, të udhëhequr nga Britania, ai e përshkruan si studim fizibiliteti për armët bërthamore dhe si “vendimtar për të nxitur zhvillimin e kërkimit amerikan”. Megjithatë, letra e Einsteinit vetëm se e ka përshpejtuar procesin. Pa të mund të kishte vonesë gjë që, thotë Willcock, “sigurisht do të nënkuptonte se bomba nuk do të ishte gati për përdorim deri në verën e vitit 1945”.

Si pacifist i deklaruar haptazi, në vitin 1950 – në Universitetin e Prinstonit – Einsteini mbajti një fjalim kundër bombës së hidrogjenit (foto: Getty Images)

Einsteinit, nga ana e vet, i vinte keq për dhunën dhe kaosin që kishte shkaktuar letra e tij e vitit 1939. Në vitin 1946, e bashkëthemeloi Komitetin e Emergjencave të Shkencëtarëve Bërthamorë, për t’i bërë publike rreziqet e luftës bërthamore dhe për të propozuar rrugën drejt paqes botërore. Në një artikull në revistën Newsweek, në vitin 1947 – me titullin Einsteini, njeriu me të cilin nisi gjithçka – ai deklaroi: “Sikur ta dija se gjermanët nuk do të kishin sukses në zhvillimin e bombës bërthamore, asgjë nuk do të kisha bërë për bombën”. Sot, pavarësisht se ka aftësi dhe njohuri teknologjike, Gjermania ende nuk e zotëron armën bërthamore.

Einsteini do t’ia kushtojë pjesën e mbetur të jetës së vet, fushatës për çarmatimin bërthamor. Kur në vitin 1954 foli me kimistin fitues të çmimit Nobel, Linus Pauling, letrën drejtuar Rooseveltit ai e përshkroi si “një gabim të madh të jetës time”.

Bomba bërthamore e ndryshoi rrënjësisht peizazhin e luftës dhe nxiti garën e armatimit Lindje-Perëndim – garë që vazhdon të formësojë marrëdhëniet ndërkombëtare. Me nëntë vende të cilat tani e zotërojnë armën bërthamore, pjesa më e madhe e rrezikut që ndiejmë daton nga ajo letër. “Edhe sot është çështje shumë e rëndësishme. Është hije që rëndon mbi njerëzimin”, thotë Klarnet. “Kjo letër na përkujton se prej nga vjen bota jonë moderne dhe është përkujtim i vrazhdë se si arritëm këtu”.

Në korrik të vitit 1955, emri i cili e nënshkroi letrën e rëndësishme të vitit 1939, drejtuar Rooseveltit, pas vdekjes do të shfaqet në Manifestin Russell-Einstein, në një rezolutë të formuluar me maturi kundër luftës bërthamore – iniciuar nga filozofi Bertrand Russell dhe miratuar nga Einsteini vetëm një javë para vdekjes. “Qenieve njerëzore u bëjmë thirrje si qenie njerëzore”, thuhet në një pjesë të tekstit. “Kujtojeni njerëzoren tuaj dhe harrojeni pjesën tjetër. Nëse këtë e bëni, rruga është e hapur për një parajsë të re; nëse këtë nuk e bëni, para jush shtrihet rreziku i vdekjes së përgjithshme”. /Telegrafi/