Nga: Seneka
Përktheu: Arben Shehu
1.
Kështu vazhdo, i dashur Lucilio, merr në dorë veten dhe kohën që deri më sot të është rrëmbyer ose e ke lënë të shkojë kot; kurseje dhe përfito prej saj. Bindu se është kështu si të shkruaj – që momente të caktuara na i marrin me forcë, disa me marifet dhe të tjerat na ikin për duarsh. Por, s’ka gjë më të ulët se humbja e kohës nga shkujdesja. Dhe, nuk është e vështirë të shohësh se pjesa më e madhe e jetës na shkon duke bërë keq, një pjesë jo e paktë duke mos bërë asgjë dhe e gjithë jeta duke mos bërë atë që duhet. Mund të më tregosh ndonjë që i jep vlerën e duhur kohës së vet, ditës së vet dhe kupton që çdo ditë është duke vdekur? Ky është gabimi ynë, na duket se vdekjen e kemi përpara, por pjesën më të madhe të saj e kemi lënë pas; dhe tërë vitet që na mbeten janë në duart e saj.
Prandaj, i dashur Lucilio, bëj ashtu si më ke shkruar; mos lër asnjë orë që të shkojë kot; do të jesh më pak skllav i së nesërmes nëse bëhesh zot i së sotshmes. Teksa shtyjmë gjërat për më vonë, jeta shkon. Asgjë nuk na përket, Lucilio, vetëm koha është jona. Natyra na ka bërë zotërues të kësaj të mire të vetme, aq fluturake dhe të paqëndrueshme, sa kushdo mund të na privojë prej saj. Sa të marrë janë vdekatarët; paguajnë edhe për çikërrimat më të kota që mund të zëvendësohen lehtësisht, por askush nuk ndihet borxhli për kohën që i është dhënë, ndonëse është i vetmi thesar që edhe marrësi më mirënjohës nuk mund ta kthejë.
Ndoshta pyet veten si sillem unë që të jap këto këshilla në lidhje me kohën. Po ta them sinqerisht: mbaj llogarinë e shpenzimeve të mia si një njeri që i pëlqen luksi, por është i kujdesshëm. Nuk mund të them se nuk humbas asgjë, por mund të them çfarë humbas, përse dhe si. Mund të tregoj arsyet e varfërisë sime. Për fat të keq, situata ime është si e shumicës së njerëzve që janë rrënuar jo për fajin e tyre; gjithkush i gatshëm për t’i shfajësuar, por askush i gatshëm për t’i ndihmuar.
Dhe atëherë? Njeriun, të cilit i mjafton ajo pak që i ka mbetur, nuk e quaj të varfër. Por të këshilloj që të ruash çfarë është realisht jotja dhe sa më shpejt që të fillosh aq më mirë. Sepse, siç thoshin të parët: “Është vonë për të kursyer kur ke arritur fundin.”[1] Në fund mbeten vetëm thërrime dhe llum.
Të mira!
2.
Nisur nga ato që më shkruan dhe nga ato që dëgjoj, besoj se ti premton shumë. Nuk hidhesh sa andej-këtej dhe nuk vuan nga sëmundja e atyre që nuk i zë vendi vend. Një hallakatje e tillë tregon për një shpirt të sëmurë. Treguesit kryesorë, sipas meje, të një shpirti të ekuilibruar janë aftësia për të qëndruar atje ku është dhe për të kaluar një copë herë me veten.
Ki kujdes, gjithsesi, se leximi i shumë autorëve dhe shumë veprave të çdo gjinie tregon për hallakatje dhe paqëndrueshmëri. Duhet të zgjedhësh shkrimtarë të kalibrit dhe të ushqehesh me gjeninë e tyre nëse do që të përfitosh ndonjë gjë prej leximit që të lërë gjurmë në mendjen tënde. Kush është gjithkund, nuk është askund. Kush e kalon jetën me udhëtime, do të ketë shumë të njohur, por asnjë mik. E njëjta gjë i ndodh edhe atij që nuk i dedikohet thellësisht asnjë autori, por kalon sa nga njëri tek tjetri duke shfletuar gjithçka me ngut. Ushqimi që villet sapo konsumohet nuk asimilohet në trup dhe nuk i sjell asnjë të mirë njeriut; asgjë nuk e pengon më shumë shërimin sesa ndryshimi i shpeshtë i kurës; plaga nuk shërohet kur provon melhem pas melhemi; bima që zhvendoset shpesh mbetet e dobët. Asgjë nuk është aq e efektshme sa të vlejë për ndonjë gjë thjesht kalimthi. Leximi i shumë librave vetëm sa pështjellon mendjen. Meqë nuk mund të lexosh gjithë librat që ke, mjafton të kesh aq sa mund të lexosh. Dhe nëse thua: “Por mua më pëlqen të shfletoj sa njërin libër aq edhe tjetrin”, unë të përgjigjem se ky është tregues i një stomaku të llastuar që nuk lë ushqim pa provuar; tepria e ushqimeve të ndryshme nuk ushqen, por helmon. Prandaj lexo autorë të mirënjohur dhe nëse herë pas here të vjen dëshira për të kaluar tek të tjerët, kthehu tek ata që ke lexuar më parë.
Çdo ditë përvetëso diçka që të ndihmon për t’u përballur me varfërinë, ose vdekjen, apo fatkeqësitë e tjera. Nga shumë faqe të lexuara, zgjidh një mendim për ta përtypur e për ta përvetësuar mirë atë ditë. Kështu bëj edhe unë; nga shumë gjëra që lexoj, veçoj njërën. Këtë të sotshmen e nxora nga Epikuri (e kam zakon që të depërtoj në kampin e armikut – si zbulues, jo si dezertor). Epikuri thotë: “Është fisnike varfëria që pranohet me gëzim.” Por nëse pranohet me gëzim, nuk është varfëri. I varfër nuk është kush ka pak, por kush digjet për më shumë. Ç’rëndësi ka për njeriun sa e ka mbushur kasafortën apo grunarin, sa kokë bagëti ka apo sa nxjerr nga përqindjet e interesit, nëse lakmon gjënë e tjetrit dhe nuk llogarit sa ka, por sa do të donte të kishte. Pyet se cila është masa e duhur e pasurisë? Së pari, të kesh çfarë është e nevojshme, dhe së dyti, të kesh mjaftueshëm.
3.
Më ke dërguar një letër përmes një “mikut” tënd, siç e quan. Pastaj më paralajmëron që të mos flas me të për punët e tua, se as ti nuk e ke zakon një gjë të tillë. Me fjalë të tjera, në të njëjtën letër pohon dhe mohon që ai është miku yt. Nëse e përdor këtë fjalë në kuptimin e përgjithshëm dhe e quan “mik”, siç quajmë ne “të nderuar” kandidatët për detyra të larta ose siç i drejtohemi dikujt me “i dashur” kur nuk na vjen në mend emri, e lëmë me kaq. Por nëse konsideron mik dikë kur nuk beson tek ai si te vetja, gabohesh rëndë dhe nuk ke kuptuar si duhet vlerën e miqësisë së vërtetë.
Me një mik mund të diskutosh qetësisht për gjithçka, por më parë duhet të vësh në diskutim vetë personin. Pas zënies së miqësisë, duhet t’i zësh besë, por më parë duhet të gjykosh nëse është miqësi e vërtetë. Njerëzit që, në kundërshtim me mësimet e Teofrastit, e vlerësojnë një njeri pasi e kanë bërë mik në vend që ta bëjnë mik pasi ta kenë vlerësuar, pa dyshim që vënë qerren para qeve. Mendohu mirë nëse duhet të pranosh apo jo dikë si mik. Por pasi ta kesh vendosur këtë, pranoje me gjithë zemër dhe fol me të haptas si me veten tënde. Jeto në një mënyrë të atillë që të mos kesh sekrete as për armiqtë e tu. Por, meqë ka edhe gjëra të caktuara që etika e do që të mbahen të fshehta, ndaj me mikun çdo shqetësim e çdo mendim. Nëse e gjykon njeri të besuar, të atillë do ta bësh. Frika e disave se mos mashtrohen bën që njerëzit t’i mashtrojnë; me dyshimin e tyre iu japin të drejtë të tjerëve që t’i gabojnë. Pse duhet të rezervohem kur jam me një mik? Pse të mos ndihem sikur jam me veten kur gjendem në shoqërinë e tij?
Disa njerëz i tregojnë të parit që hasin në rrugë gjëra që iu duhen besuar vetëm miqve dhe zbrazen para çfarëdo njeriu. Ndërsa të tjerët druhen që të hapen edhe me miqtë e ngushtë dhe ndryjnë sa më thellë në shpirt sekrete të cilat, po të ishte e mundur, do të donin që t’ia fshihnin edhe vetes. Janë dy qëndrime ekstreme që duhen shmangur se është gabim që t’u besosh të gjithëve po aq sa të mos i besosh askujt (ndonëse të parën do ta quaja më të denjë dhe të dytën më të sigurt).
Në të njëjtën mënyrë, nuk duhen miratuar si ata që nuk gjejnë kurrë qetësi, ashtu edhe ata që nuk tunden nga vendi. Dëshira për zhurmë e rrëmujë nuk është dinamizëm, por vetëm dalldi e mendjes së trazuar. Dhe shikimi i çdo aktiviteti si të lodhshëm nuk është qetësi e vërtetë, por vetëm plogështi dhe amulli. Prandaj mbaje mend mirë këtë frazë që kam lexuar nga Pomponius; “Ka njerëz që struken në qoshe aq të errëta sa iu duket si stuhi gjithçka që ndodh nën diell.” Duhet një kombinim i ekuilibruar i këtyre dy tendencave – njeriu aktiv duhet të jetë i aftë për t’i marrë gjërat shtruar, ndërsa njeriu i fjetur duhet të zgjohet. Pyet natyrën: do të thotë që ka krijuar si ditën ashtu dhe natën.
Të mira! /Gazeta “ExLibris”/
_______
[1] Hesios, Punët dhe ditët.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje