Prishtina dhe Trepça ’89 nga Mitrovica tani do të përgatiten për Kupat Evropiane në futboll.
Falë triumfit të Besës nga Peja në finalen e Kupës së Kosovës, kundër Llapit, Prishtina siguroi vizën për në garat e Europa League.
Pejanët nuk janë të licencuar nga UEFA, kësisoj Prishtina si nënkampion, e fitoi të drejtën për garat evropiane. Futbollisti i Prishtinës, Liridon Leci, tha se është jashtëzakonisht mirë që do të marrin pjesë në garat evropiane.
“Normalisht është sukses, sepse FC Prishtina ka bërë përforcime që të dalë në Evropë, pavarësisht se gjatë rrugës kemi pasur disa ‘probleme’ dhe me ardhjen e trajnerit Arsim Thaçi gjërat ndryshuan shumë për të mirë dhe kjo është vërtet sukses”.
“Prishtina ka marrë pjesë edhe në shumë turne ose ndeshje miqësore në Evropë dhe ka një pasqyrë se si është të luash në Evropë, mirëpo kjo tash është zyrtare dhe përfaqësohemi tamam zyrtarisht”.
“Duhet respektuar dhe falënderuar ekipin e Besës, sepse e nderuan Kampionatin, duke luajtur një finale të pastër”, thotë për gazetën kombëtare “Bota sot”, Liridon Leci, futbollist i Prishtinës.