Lidhja Demokratike e Kosovës ka kritikuar Qeverinë Kurti për rrezikim të shëndetit të qytetarëve, pas tollovisë që ndodhi sot në sallën “1 Tetori”.

Anëtarja e kryesisë së LDK-së, Sibel Halimi tha se pamjet e sotme janë skandaloze.


186456061 210271164034845 2648461166681376894 n

“Jemi zgjuar me pamje skandaloze nga salla 1 tetori në Prishtinë jemi dëshmitar dhe po e përcjellim me shqetësim sesi qytetarët po grumbullohen me shpresën që kjo qeveri do të realizoj vaksinimin”, tha Halimi në konferencë për media.

Në anën tjetër, ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha se Qeveria Kurti sot i dërgoj qytetarët drejt vdekjes.

“Jemi adresuar para pak ditësh dhe kemi saktësuar keq-menaxhimin e kësaj qeverie me pandeminë. Edhe sot duke drejtuar prindërit tanë drejt vdekjes, në vend që të drejtohen drejt vaksinimit dhe sigurimit të jetesës në luftimin e pandemisë, sot nga papërgjegjësia totale qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti dhe ministri Arben Vitia sot ka rrezikuar qytetarët e Kosovës, duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën e tyre”, ka thënë Zemaj.

Ai ka shtuar se kjo tregon se këta njerëz nuk e kanë prioritet shëndetin.

“Kjo tregon se i kanë mashtruar qytetarët për ndryshim. Me urdhër të qeverisë nuk është lejuar të pasqyrohet kjo gjendje, dhe nuk mund të fshihet e vërteta çka ka ndodhu sot.”, ka thënë Zemaj.

186480852 1416549828679530 5813460404640744536 n

Zemaj ka shtuar se grumbullim të qytetarëve ka edhe në komuna përkatëse, dhe se ka mungesë të vaksinave.

Edhe Ardian Shala nga departamenti i shëndetësisë në LDK kritikoi Qeverinë Kurti për mungesë të një plani konkret për vaksinim.

“Asnjë plan konkret për sigurim të vaksinave e as vaksinim. Si pasojë e kësaj patëm sot këto pamje në sallën “1 Tetori”. Qytetarët nuk meritojnë një trajtim të tillë”, tha ai. /Telegrafi/