Shefja e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku Sadriu ka kërkuar nga qeveria që të ndërmarrë masa të menjëhershme për mbrojtjen e qytetarëve nga rritja e çmimeve të naftës. Ajo tha se ekzekutivi urgjentisht duhet të gjej forma për të subvencionuar çmimin e naftës për bujqësinë, transportin publik dhe prodhuesit vendor.

Në seancë të jashtëzakonshme, ajo ka propozuar rezolutën, për çka kërkoi përkrahjen e deputeteve të Kuvendit të Kosovës.


Para nisjes së debatit parlamentar, deputetja Jehona Lushaku Sadriu tha se kjo seancë është e domosdoshme, meqë siç u shpreh rritja e çmimeve të naftës është baza e krizës ekonomike.

“Kjo seancë e jashtëzakonshme, debat parlamentar është e domosdoshme pasi që rritja e vazhdueshme e çmimit të naftës nuk është thjesht një lëvizje në treg por është baza e një krize ekonomike dhe sociale me ndikim të drejtpërdrejt në çdo familje dhe çdo biznes të Kosovës. Duke marrë parasysh se edhe para ngritjes së çmimit të naftës, vendi përballej me një normë të lartë të inflacionit prej 6 për qind, mbi këtë rritja e çmimit të naftës përkthehet automatikisht në rritje tutje të çmimeve të të gjitha produkteve bazike dhe shërbimeve pasi që ekonomia jonë varet kryesisht nga importi. Pra, nafta në Kosovë nuk është vetëm një produkt, është çmim bazë i ekonomisë. Përkundër të gjitha këtyre, institucionet e Republikës së Kosovës deri më tani nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për të mbrojtur qytetarët, duke e lënë barrën e plotë tek qytetarët”, ka deklaruar ajo.

Në seancë të jashtëzakonshme, Lushaku-Sadriu tha se rritja e çmimit të naftës ka shkaktuar edhe rritjen e kostos së transportit, çmimeve të produkteve bazë dhe uljen e fuqisë blerëse të qytetarëve.

“Qeveria nuk guxon të qëndrojë si spektatore dhe të përfitojë nga rritja e taksave në këto produkte. Rritja e çmimit të naftës ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejt në rritjen e kostos së transportit, rritjen e çmimeve të produkteve bazë dhe uljen e fuqisë blerëse të qytetarëve. Andaj, kjo seancë sot është e domosdoshme për zhvillimin e një debati të mirëfilltë të gjerë parlamentar, lidhur me rritjen e vazhdueshme të çmimeve të naftës dhe efektin e drejtpërdrejt dhe të tërthortë që kjo ka në jetesën e qytetarëve të Kosovës dhe në ekonominë e vendit tonë. Mbi të gjitha për masat që duhet t’i ndërmarrë qeveria dhe t’i miratojë ky kuvend”, shtoi ajo.

Në nisje të seancës, ajo ka propozuar masat që sipas LDK-së, janë të domosdoshme për mbrojtjen e qytetarëve.

“Kuvendi kërkon nga qeveria uljen e përkohshme të akzicës, qeveria duhet të aplikojë menjeherë ulje të akcizës nga 36 cent në litër në 20 cent në litër me afat të përkohshëm deri në stabilizimin e çmimeve në bursat ndërkombëtare. Nën dy, kuvendi kërkon nga qeveria ulje të përkohshme të TVSh-së në karburante, duke qenë se 18 për qind e TVSh-së rritet bashkë me çmimin, qytetarët paguajnë më shumë taksë më shumë se sa rritet çmimi. Qeveria duhet të ul përkohësisht TVSh-në për naftë nga 18 për qind në 8 për qind deri në stabilizimin e çmimeve. Nën tre, kuvendi kërkon nga qeveria subvencionim të çmimit të naftës për sektorët më të ndjeshëm. Qeveria urgjentisht të gjej forma për të subvencionuar çmimin e naftës për bujqit- bujqësinë, transportin publik dhe prodhuesit vendor”, përfundoi ajo. /Kp/