LDK pret vendimin e Kushtetueses: T'i hapet rrugë shumicës parlamentare të propozojë kandidatin për kryetar Kuvendi

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka shprehur pritjet e saj që Gjykata Kushtetuese do të marrë një vendim të drejtë dhe në përputhje me mandatin kushtetues, për të zgjidhur situatën e bllokadës institucionale që ka mbërthyer Kuvendin e Kosovës pas zgjedhjeve të fundit.
Në një deklaratë për media, LDK-ja thekson se lënda e dorëzuar nga ky subjekt në Gjykatë ka në thelb një fakt të pamohueshëm: subjekti politik që ka dalë i pari në zgjedhje nuk ka zbatuar agjendën e seancës konstituive dhe ka refuzuar të propozojë kandidat për Kryetar të Kuvendit – siç kërkon Kushtetuta dhe praktika parlamentare.
Sipas LDK-së, në vend të propozimit për kryetar, është përsëritur 48 herë një kërkesë për votim jashtë rendit të ditës dhe në kundërshtim me procedurat kushtetuese.
“Kjo sjellje ka prodhuar një bllokadë të qëllimshme dhe ka dëshmuar se subjekti në fjalë nuk ka pasur as vullnetin dhe as kapacitetin për të ushtruar të drejtën dhe përgjegjësinë që i takon të parit”, thuhet në deklaratë.
LDK-ja rikujton se sipas praktikës së deritanishme kushtetuese, nëse subjekti i parë nuk arrin të sigurojë shumicë, atëherë e drejta për të propozuar kandidatin për Kryetar të Kuvendit duhet t’i kalojë shumicës parlamentare.
“Sistemi demokratik funksionon mbi bazën e shumicës dhe përgjegjësisë, jo të bllokadës dhe mungesës së vullnetit politik”, nënvizon më tej LDK-ja.
Duke theksuar rolin thelbësor të Gjykatës Kushtetuese në ruajtjen e rendit demokratik dhe funksionimit të institucioneve, LDK-ja pret një vendim që i hap rrugë tejkalimit të ngërçit dhe rikthimit të normalitetit institucional.
“LDK-ja mbetet e përkushtuar për ruajtjen e rendit kushtetues dhe për një qeverisje që reflekton vullnetin e qytetarëve të Kosovës”, përfundon deklarata./Telegrafi/

















































