LDK nis nesër fushatën zgjedhore në Prishtinë, Rama e Abdixhiku ftojnë qytetarët të bashkohen

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe kandidati për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, kanë ftuar qytetarët që t’i bashkohen hapjes së madhe të fushatës zgjedhore të kësaj partie.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Rama shihet së bashku me Abdixhikun, ku të dy theksojnë rëndësinë e këtij momenti për LDK-në.
“Hajde Prishtinë, hajde Kosovë. A jena gati për nesër?”, dëgjohet duke thënë Rama, teksa i drejtohet Abdixhikut.
Kreu i LDK-së, Abdixhiku, e cilësoi hapjen e fushatës si fillimin e një “feste të madhe” për partinë dhe për qytetarët.
“Jena gati për nesër, hapjen e madhe të fushatës zgjedhore të këtij viti, me Përparimin dhe të gjithë kandidatët e LDK-së për festën e madhe të 12 tetorit. Iu presim nesër në orën 18:00”, tha Abdixhiku.
Ceremonia e hapjes së fushatës së LDK-së do të mbahet nesër në Pallatin e Rinisë, në Prishtinë, duke filluar nga ora 18:00.












































